Lajme

Bulliqi kundër Abazoviçit: Vija kufitare me Malin e Zi s’ishte përcaktuar mirë, çështja e kufirit mbetet e hapur


Ish-kreut të Komisionit për Demarkacion, Shpejtim Bulliqi, tani kryetar i komunës së Podujevës, nuk i ka pëlqyer deklarata e kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, se çështja e demarkacionit me Kosovën ka marr fund.

Bulliqi është i bindur që vija kufitare me Malin e Zi nuk ishte përcaktuar mirë.

“Deklarata e Abazoviçit nuk është se nuk është pritur. Është e kuptueshme se nga pozicioni në të cilin ndodhet Abazoviçi nuk do të ketë të lehtë ta hap këtë temë”, tha Bulliqi në RTV-Dukagjini.

Por, për Bulliqin çështja e kufirit mbetet e hapur derisa ende nuk janë përcaktuar disa hapa tjerë.

“Procesi i demarkimit të kufirit është bërë, por jo edhe shënimi dhe mirëmbajtjes. Procesi i shënimit dhe mirëmbajtjes është dalja në terren dhe vendosja e gurëve apo piramidave”.

“Dy shtetet brenda afatit prej dy vjetëve është dashur ta formojnë trupën e përbashkët për të bërë shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit, e një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, shtoi ai.

Ndërsa ish-zëdhënësi i Komisionit Qeveritar për matjen e territorit të Kosovës, Tomor Qela, në një intervistë për Albanian Post, ka theksuar se tashmë vetëm gurët duhet të vendosen në kufi që të mbyllet procesi i demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi.

“Por, fillimisht duhet të themelohet edhe një komision nga Qeveria e Kosovës për ta bërë një gjë të tillë”, thotë Qelaj.

Prandaj, për gjeografin Qelaj, “çdo vonesë, çdo diskutim tjetër është i pavlerë si në aspektin profesional dhe atë politik”.

“I ka dalë boja këtij muhabeti”, shtoi ai.

Pasditen e 21 marsit, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi demarkacionin pas katër herë ndërprerjesh për shkak të gjuajtjes me gaz lotsjellës nga Vetëvendosje, atëkohë opozitë. Për shkak të hedhjes së gazit atë ditë, shumica e deputetëve të VV-së u përjashtuan nga seanca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore