Lajme

Bugajski: Rusia po përpiqet të provokojë një konflikt të armatosur në Ballkanin Perëndimor


Janusz Bugajski

Janusz Bugajski, gazetar dhe njohës i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, në një artikull autoral shkruan mbi praktikat e Rusisë për përhapjen e propagandës dhe diskursit publik kundër insitucioneve demokratike, në përpjekje për të minuar stabilitetin rajonal duke nxitur tensione ndëretnike, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës.

Bugajski konsideron se presidenti rus, Vladimir Putin, po ndjek një strategji globale sikurse në epokën sovjetike, nëpërmjet së cilës synon të përçajë, dobësojë dhe mposht aleancën perëndimore, por për dallim nga periudha e Luftës së Ftoftë, regjimi rus nuk promovon pushtimin e Kubës apo Vietnamit, por inkurajon konflikte në Ballkanin Perëndimor.

“Përpjekja e nxituar e Rusisë për të ndezur konfliktet rajonale tregon frikën nga humbja e luftës në Ukrainë. Moska po përpiqet të fshehë humbjet e luftës: zyrtarët amerikanë vlerësojnë se pothuajse gjysma e forcave konvencionale të Rusisë janë vrarë ose gjymtuar dhe sasi të mëdha të pajisjeve ushtarake janë shkatërruar”, shkruan Bugajski.

Ai vlerëson se Rusia përpiqet të provokojë një konflikt të armatosur në Ballkanin Perëndimor, duke u përpjekur ta shtyjë Serbinë drejt një konflikti ushtarak në Kosovë, derisa shton se për shkak të paralajmërimeve të NATO-s, regjimi rus tani mund të ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta ose të punojë përmes aktorëve alternativë radikalë për të nisur një luftë ballkanike.

“Koha është që Uashingtoni t’i përgjigjet strategjisë globale të Moskës, jo vetëm duke siguruar që Ukraina të fitojë luftën duke dëbuar të gjithë pushtuesit rusë, por gjithashtu duke demonstruar se kufijtë e Rusisë nuk janë të sigurt dhe se zotërimet territoriale nuk janë të përhershme”, paralajmëron Bugajski, i cili shton se tensionet në rritje i shërbejnë interesave të Moskës.

​Nuk është sekret se Rusia ka kohë që po udhëheq një fushatë kundër kombeve të vogla ballkanike dhe shteteve perëndimore, në mënyrë që të zgjerojë fushëveprimin dhe të shtrijë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, por edhe të krijojë kushte që në pushtet të vijnë forcat pro-ruse dhe të provokojë trazira që do të prodhojnë destabilizimin e rajonit në të ardhmen.

Tërheqja e Kosovës në gjirin euro-atlantik: Buhler dhe Shea zbërthejnë dilemat e (pa)sigurisë në optikën e sfidave gjeopolitike

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore