Shqipëria

Bugajski: Mosmarrëveshjet Kosovë-Shqipëri i shërbejnë Vuçiç-it


Janusz Bugajski

Janusz Bugajski, gazetar dhe njohës i dinamikave në Ballkanin Perëndimor, në një opinion të tij për “The Geopost”, ka thënë se mosmarrëveshjet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë – pas anulimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive – “i shërbejnë” presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Mosmarrëveshjet midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe ndërmjet liderëve shqiptarë përtej kufijve shtetërorë mund të jenë konstruktive nëse ato çojnë në nisma të reja dhe përfshijnë publikun e të dy vendeve në diskutimet për një të ardhme të përbashkët”.

“Megjithatë, mosmarrëveshja aktuale i shërben kryesisht interesave të administratës së Vuçiç-it në tre mënyra”, beson ai.

Sipas tij së pari, “mbështetja nga Tirana forcon dorën e Beogradit në dialogun me Prishtinën”, ndërsa së dyti, “zvogëlon pozitën e Kosovës si në Uashington ashtu edhe në Bruksel, ndërkohë që rrit reputacionin e Ramës si zgjidhës i problemeve rajonale”.

“Dhe së treti, ushqen akuzat stereotipike serbe se shqiptarët janë të paaftë për të qeverisur veten dhe kanë nevojë për një mjeshtër rajonal”, elaburon ai.

Ndërkaq, ai mendon se ekziston një projekt i ri për Ballkanin Perëndimor, i cili, siç thotë ai “parashikon rindarjen e rajonit pa ndryshim kufijsh dhe dukshëm ka marrë miratimin në administratën e (Joe) Bidenit”.

“Ballkani Perëndimor do të ndahet në tre sfera të veçanta ndikimi, ku Beogradi, Tirana dhe Zagrebi do të fitonin ndikim politik dhe ekonomik mbi fqinjët më të vegjël, duke përfshirë Kosovën, Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi”, mendon ai.

Ndryshe, në një konferencë të paralajmëruar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se në kushtet e agravimit të situatës së Kosovës me Bashkësinë Euroatlantike mbledhja e Qeverive nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar.

Sipas Ramës, pas një bisede me përfaqësuesin e lartë Evropian, Josep Borrell, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për t’u takuar në një format më të ngushtë me ministrat e Jashtëm për të folur mbi këtë situatë.

Por se kryeministri Kurti e ka refuzuar duke theksuar se “duhet të mbahet mbledhja siç ishte planifikuar”.

“Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e Kurtit, shpresoj të ndryshojë”, tha Rama, i cili shtoi se, Kosova po shkon drejt sanksioneve.

Për Ramën takimi nuk është i mundur, pasi nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh me realitetin e Kosovës sot.

Numri një i Qeverisë shqiptare njoftoi madje se i ka kërkuar kohë “autoriteteve perëndimore” që të mos shkojnë drejt sanksioneve për Qeverinë e Kosovës.

Por se Kosova me këtë kurs është në prag “të humnerës”.

Ai paralajmëroi se është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën që do të vihet në lëvizje, referuar sanksioneve nga Bashkësia Euroatlantike.

“Jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore