Sport

Buffon refuzon transferimin në Arabinë Saudite dhe lajmëron pensionimin


Raportime të shumta në Itali pretendojnë se portieri legjendar italian, Gianluigi Buffon, së shpejti do të njoftojë pensionimin e tij pasi refuzoi një ofertë nga Arabia Saudite.

45-vjeçari ka një vit të mbetur në kontratën e tij me skuadrën e Serie B, Parma, dhe sipas “Sky Sport Italia” dhe “Tuttosport”, ai ka refuzuar një ofertë për t’u bashkuar me Ligën Saudite Pro këtë sezon.

Të dyja mediat pretendojnë se Buffon jo vetëm që ka vendosur kundër lëvizjes jashtë vendit, por gjithashtu do të njoftojë pensionimin e tij në ditët në vijim.

Sipas “Tuttosport”, Buffon mund të konfirmojë vendimin e tij sot, ndërsa sipas ekspertit të transferimeve të “Sky Sport Italia”, Gianluca Di Marzio, ish-portieri i Juventus-it do ta lajmërojë tërheqjen nga futbolli në ditët e ardhshme.

Portieri legjendar fitoi Kupën e Botës me Italinë në vitin 2006 dhe është lojtari me më shumë paraqitje në Serie A.

Buffon ka luajtur për Parma-n, Juventus-in dhe PSG-në, duke kombinuar 1 mijë e 151 paraqitje konkurruese me klubet ku ka luajtur dhe me Italinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore