Lajme

Bruksel: Masat për Kosovën u parapa të hiqeshin me 14 shtator, por takimi s’pati sukses


Albin Kurti, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak gjatë takimi të 14 shtatorit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Bensik Bislimi, në një intervistë për median opozitare serbe “Danas”, me 9 shtator, priste që Bashkimi Evropian t’i hiqte masat ndëshkuese ndaj Kosovës para takimit të nivelit të lartë, mirëpo ato, jo që nuk u hoqën, por pati paralajmërime nga zyrtarë të Unionit se ato mund edhe të shtohen.

Edhe pse nuk ndodhi ashtu siç ka kërkuar Bislimi, pasi që Prishtina shkoi në Bruksel me masa ndëshkuese mbi supe, ato kanë mundur që të largohen me 14 shtator, në takimin e nivelit të lartë në kuadër të nivelit të dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas burimeve diplomatike të “Radio Evropa e Lirë” brenda BE-së, kjo çështje është diskutuar në takimin në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Shefit të Diplomacisë evropiane, Josep Borrell, më 14 shtator.

Borrell, sipas REL-it, i ka thënë Kurtit se është i gatshëm të rekomandojë heqjen e masave nëse do të raportonte për sukses në takim, bisedimet të cilat përfunduan pa ndonjë rezultat meqë Kosova nuk pranoi një propozim të BE-së për marrëveshjen për normalizim, andaj nuk pati edhe lëvizje sa i përket masave.

Zyrtari i BE-së ndër të tjera i ka thënë REL-it se masat ndaj Kosovës janë fleksibile, të përkohshme, mund të hiqen, por edhe të shtohen, pasi për to janë pajtuar 27 shtetet anëtare të bllokut të cilat nuk i vënë në dyshim masat.

Pra, sipas këtij burimi BE-ja mund t’i largojë ose t’i shtojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, varësisht nga rrjedha e situatës në terren dhe dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Pas takimit të 14 shtatorit, i deleguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar ambasadorët e shteteve anëtare në Komitetin për Politikë dhe Siguri të BE-së për rrjedhën e bisedimeve.

Ndonëse aty, sipas burime diplomatike është përsëritur thirrja për “një qasje të balancuar kur janë në pyetje masat”, Lajçak ka marrë mbështetjen për punën e tij, dhe sipas të njëjtave burime, “askush nuk ka vënë në dyshim masat ndaj Kosovës”.

Ambasadorët kanë kërkuar që masa të tilla të shqyrtohen edhe për Serbinë sepse ka shumë shtete që besojnë se Kosova nuk është e vetmja fajtore për tensionet në Veri.

Burimet në BE kanë thënë se shtetet e bllokut “po monitorojnë edhe sjelljen e Serbisë” dhe se “lehtësuesit do të preferonin sikur të mos kishte fare masa ndaj asnjërës palë”.

Në pyetjet se pse atëherë vetëm njëra palë, në këtë rast Kosova, është duke u përballur me masa ndëshkuese e Serbia jo, një zyrtar i BE-së tha se “masat janë specifike dhe kanë të bëjnë ekskluzivisht me hapat për shtensionimin e situatës në Veri” të Kosovës.

“Vendet anëtare po monitorojnë edhe sjelljen e Serbisë. Serbia nuk ka bërë asgjë për të zbatuar obligimet e saj nga marrëveshja. Ka mundur të bëjë shumë gjëra në mënyrë të njëanshme, si për shembull sa i përket njohjes së dokumenteve”.

“Nuk ka pasur nga ana e Serbisë as masa, e as dënim të njerëzve përgjegjës për dhunën në Veri të Kosovës, edhe pse identiteti i tyre është i njohur”, tha një zyrtar i BE-së, i cili shtoi se mund të jetë e gjatë lista e gjërave që nuk ka bërë Serbia.

Megjithatë, ky zyrtar tha se “duhet së pari Kosova të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pasi është një proces i gjatë dhe ne pastaj do të siguronim që Serbia t’i kryejë detyrat e veta”.

Çfarë kishte deklaruar Bislimi?

Në një intervistë për median serbe “Danas”, zëvendëskryeministri Bislimi, teksa fliste për barazi trajtimi të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, nga ndërmjetësi, në këtë rast BE-ja, ai kërkonte heqjen e masave ndëshkuese para takimit të nivelit të lartë më 14 shtator.

“Në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi”, kishte thënë ai.

Çka ndodhi në takimin e 14 shtatorit?

Takimi i nëntë ndërmjet Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç-it nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Sipas Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiç-i e pranoi.

Pamje nga takimi i 14 shtatorit në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me Përfaqësuesit e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiç kërkoi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kurti dhe Vuçiç, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiç-it, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit. Ky është thelbi i gjithçkaje”.

Si ishin vendosur masat ndëshkuese ndaj Kosovës?

Refuzimi i qeverisë për ta shtensionuar situatën në Veri të Kosovës – e tensionuar që nga 26 maji – kishte bërë që BE-ja të vendos masa ndëshkuese si në aspektin politik dhe në atë ekonomik.

BE-ja, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte propozuar një plan të de-esklaimit, mirëpo i njëjti nuk pranohej nga Kosova, dhe kjo çoi që Unioni të shqyrtojë masa ndëshkuese ndaj Prishtinës.

Qeveria e Albin Kurtit do ta pranonte planin e de-eskalimit vetëm pasi që ndaj Kosovës – për herë të parë në histori – ishin vendosur masa ndëshkuese.

Kosova, ndër të tjera, kishte pranuar që ta reduktonte praninë e njësiteve policore në dhe pranë objekteve komunale të komunave Veriore, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas atyre të 23 prillit të cilat ishin bojkotuar nga serbët lokalë.

Përkundër pranimit të këtij plani, ndaj Kosovës ende nuk janë larguar masat ndëshkuese, pasi që po kërkohen veprime shtesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore