Kosova

Brnabiç: Kurti i ka argumentet e dobëta, po i frikësohet Vuçiç-it


Ana Brnabiç

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, ka potencuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk dëshiron të dialogoj, meqë, siç ka pretenduar ajo, ka frikë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sepse ka argumente të dobëta.

Ndër të tjera ajo ka potencuar se Kurti “nuk dëshiron të ulet përballë Vuçiç-it”.

“Kurti po dëshmon se nuk ka ndërmend ta zbatojë Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, ka potencuar ajo, raportojnë mediat serbe.

E pyetur për propozimin e shefit të Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, Brnabiç tha se është “një vendim anormal”.

Takimi i nivelit të lartë i 26 qershorit përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, meqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pa plotësimin e tri kushteve që ai parashtroi paraprakisht në takim me shefin e Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, e emisarin special për dialogun, Miroslav Lajçak.

Formalizimi i Marrëveshjes Bazë, tërheqja e letrës zyrtare të ish-kryeministres së Serbisë dorëzuar Bashkimit Evropian dhe dorëzimi i Milan Radojiçiç dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet kosovare, ishin së tri kushtet e paraqitura nga ana e Kurtit, për angazhimin e mëtejmë të Kosovës në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore