Sport

Brdariç: Duhet të jemi të uritur, është e vetmja mënyrë që të fitojmë


Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç-i, ka folur për mediat përpara ndeshjes që skuadra e tij do të luajë me Skënderbeun në finalen e Kupës së Shqipërisë, ditën e hënë të 31 majit në stadiumin “Air Albania”.

Tekniku vlerëson rëndësin e ndeshjes dhe sipas tij ekipi duhet të japë maksimimin për të marrë trofeun.

“Është një pikë maksimale që kanë arritur lojtarët tanë, për të patur mundësinë nesër, për të luajtur ndeshjen më të rëndësishme të këtij kompeticioni”, tha kroato-gjermani.

“Padyshim nuk është vetëm pika kryesore e jetës së tyre në këto momente, por ne e dimë që duhet të jemi në maksimumin tonë, që t’i kemi mundësitë për të fituar nesër. Duhet të japim maksimumin”.

Fitimi i trofeut do të ishte kurorzimi i një sezoni të mirë në mbylljen e tij, thotë tekniku, që gjithashtu flet edhe për ekipin kundërshtar.

“Është shumë speciale që ta mbyllësh sezonin me një trofe, ne e njohim Skënderbeun. Jemi të bindur te fitorja jonë”, vijoi te thoshte 46-vjeçari.

“E dimë që kanë bërë një pjesë të dytë të sezonit shumë të mirë këtë e tregon edhe fakti që mbijetuan në Superiore, por edhe forma që kanë treguar përgjatë ndeshjeve që kemi luajtur”.

“Si për mua ashtu dhe për ekipin, mjedisi është mjaft i mirë që ta luajmë këtë ndeshje dhe ta fitojmë”.

Në përfundim, Brdariç-i foli edhe nëse e ardhmja e tij në krye të stolit kuqeblu varej nga kjo ndeshje, gjë të cilën ai e mohoi.

“Jo nuk varet gjithçka nga ndeshja e nesërme. Unë e di që ne duhet të futemi dhe të vendosim në fushë gjithçka çfarë kemi mundësi sepse duhet ta fitojmë. Ta mbyllim sezonin mire dhe të tregojmë se jemi më të mirët”, tha ish-lojtari i Bayer Leverkusen-it dhe Wolfsburg-ut në Bundesligën gjermane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore