Kosova

Borrell për takimin Kurti – Vuçiç: Kemi një marrëveshje e cila s’po zbatohet, s’do të dorëzohem


Josep Borrell

Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në një konferencë për media, të hënën, ka potencuar se është duke tentuar ta çoj përpara procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në vigjiljen e takimit të 10-të në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, kryediplomati spanjoll ka vlerësuar se ndonëse Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, po ngurrojnë që të njëjtën ta zbatojnë në praktikë për arsye të ndryshme.

“Për këtë arsye e shoh si të rëndësishme ta nis një cikël të ri të nivelit të lartë të dialogut për të parë se ku po qëndrojmë”, tha ai në një konferencë për media.

Borrell ndër të tjera ka potencuar se Kurti e Vuçiç nuk janë takuar për një kohë të gjatë.

“Nuk dua të dorëzohem para se të mbaroj mandatin tim”, ka shtuar ai.

Borrell, do t’i presë të mërkurën për një raund të ri të negociatave kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në përpjekje për të çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, ndërsa në bazë të një njoftimi të lëshuar nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), shefi i diplomacisë evropiane dhe emisari i posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh.

“Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së do të zhvillojnë takime të ndara me të dy liderët nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimet do të analizojnë bilancin se çfarë është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara. Do të ketë deklarata për shtyp para dhe në fund të takimeve”.

Për takimin në fjalë përveç Borrell, është deklaruar edhe Vuçiç.

Ai ka premtuar se të mërkurën do të ketë një qasje konstruktive dhe se do të mundohet që problemet t’i zgjidh përmes dialogut, duke shtuar se nuk beson në vullnetin e Kosovës për një gjë të tillë.

Ai madje është shprehur i frikësuar nga provokimet eventuale të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore