Lajme

Bondarev: Regjimi i Putin-it është i kalbur, fati i tij është i vulosur, diktaturat marrin fund befas


Thonë se presidenti rus Vladimir Putin është më i fortë pas kryengritjes së Yevgeny Prigozhin.

Por “si mund të jetë më i fortë?”, pyet Boris Bondarev nga lokacioni sekret në Evropë ku ai ka jetuar që kur dha dorëheqjen nga diplomacia ruse një vit më parë prej polemikave me Kremlinin.

Idesë se pa gjakderdhje Putin-i ka treguar se një grusht shteti është i pamundur dhe se do të jetë më i gatshëm herën tjetër, ai i është kundërpërgjigjur duke thënë se “nuk mund të jetë kurrë gati”.

“Grushtet e shtetit vijnë në mënyrë të papritur. Ne në opozitë duhet të organizohemi, të zhvillojmë strategji që të dimë të ecim kur ky regjim të mos ekzistojë më. Këto diktatura marrin fund befas. Ne duhet të fillojmë të imagjinojmë se çfarë do të bëjmë kur Putin-i të mos jetë më atje për një, dy apo pesë vjet”.

Sipas Bondarev, sa më shumë që Putin-i përpiqet të përgatitet për një grusht shteti, aq më shumë ka gjasa që ai potencialisht të forcojë sigurinë e brendshme.

“Kreu i Rosgvardia (garda kombëtare) ka thënë se do të përpiqen të kenë tanke dhe mjete të tjera. Kështu që Putin-i, për të mbrojtur veten, do të duhet t’i japë më shumë pushtet Rosgvardia. Çfarë mund ta ndalojë Rosgvardia të sulmojë presidentin?”

Por a është vërtet Putin-i kaq i dobësuar?

“Gjatë kryengritjes të gjithë e panë se ai ishte i humbur, ai nuk dinte çfarë të bënte. Njerëzit e tij duhet të kishin vepruar automatikisht për ta mbrojtur atë, por ata ishin të paralizuar. Ata prisnin urdhra ose u përpoqën të lanin duart prej saj. Ne pamë mungesën e ndonjë sistemi apo institucioni”, thotë Bondarev.

Në opinionin e tij, gjithçka varet nga marrëdhëniet informale midis njerëzve dhe njerëzit kanë frikë, edhe nëse ata janë në krye të qindra mijëra njerëzve.

“Askush nuk i ka përgatitur ndonjëherë që të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe të veprojnë në mënyrë të pavarur”, dallon ai.

Por diktatori është gjithmonë në Kremlin.

“Imagjinoni një bos mafioz. Nëse ai e shuan një kryengritje në mënyrë paqësore, të tjerët në rrethin e tij do të mendojnë se ai është i dobët. Nëse Putin-i do ta kishte mbytur atë revoltë në gjak, ai do të kishte treguar nga këndvështrimi i tij se është i fortë, se nuk ka frikë nga asgjë. Pse dikush si Putin-i duhet të ketë frikë se gjaku do të rrjedhë? Kushdo që beson se nuk e njeh Rusinë”.

Për sa i përket figurës së Prigozhin, nëse ende është një aktor i rëndësishëm, ai jep dy skenarë.

“Putin-i shpenzoi një miliardë dollarë për Wagner-in, nuk ishte një strukturë private, por një organizatë ushtarake e Putin-it. Nuk mendoj se milicia do të jetë ende shumë e rëndësishme në të ardhmen. Por nëse Wagner kontrollonte asete të rëndësishme në Afrikë, kush i kontrollon ato tani? Kujt i përgjigjen mercenarët në Afrikë?”

Sipas tij, Putin-i e ka humbur monopolin e tij mbi përdorimin e forcës qëllimisht duke krijuar Wagner-in. Dhe jo vetëm.

“Që nga viti i kaluar ka pasur raportime se kompani të ndryshme dhe guvernatorë rajonalë kanë krijuar organizatat e tyre ushtarake. Putin-i kundërshtoi qëllimisht çdo parim bazë të shtetësisë. Veproi pa menduar për pasojat. Gjithçka ka të bëjë me përpjekjen për të ecur përpara sot, nesër, një ditë tjetër”.

“Pas kryengritjes ai bëri të gjitha ato dalje publike për t’u përpjekur të bindë se është më i fortë se kurrë. Thjesht tregon se ai është i pambrojtur dhe i pasigurt”.

Bundja e tij është se regjimi i Putin-it po vdes, brenda është i kalbur.

“Të gjithë e shohin se sa e brishtë është e gjithë struktura, njerëzit nuk duan të luftojnë për askënd. Nëse ka një udhëheqës që tregon forcë, aftësi dhe vullnet për të luftuar, pakkush do ta kundërshtonte. Pyetja është se çfarë të bëjmë më pas”.

“Si të ndërtohet demokracia, kur praktikisht të gjithë shoqërisë nuk i intereson. Njerëzve në Rusi nuk u intereson kush i drejton: ata janë larg çdo ideje për të bërë zgjedhje politike”.

Bondarev tregon se në Rusi ka vetëm shkëndija sporadike të shoqërisë civile, por kryesisht njerëzit janë indiferentë.

“Nga njëra anë është mirë, sepse askush nuk dëshiron të shkojë në luftë. Por nga ana tjetër, nuk mund të mbështeteni te njerëzit e thjeshtë për të mbështetur demokracinë, sepse ata nuk duan të përfshihen”.

Por sa kohë mund të vazhdojë Putini kështu?

“E vetmja mundësi për t’u forcuar është të mposhtë Ukrainën, por nuk jam i sigurt se kjo është e mundur. Pra, çdo zgjedhje e tij e radhës do të jetë shumë e dëmshme për të”.

Ai nuk është i sigurt se sa do të zgjasë, sepse varet nga sa shpejt po rrotullohet truri i elitave. Nëse ata e kuptojnë se Putin-i tani është personi i gabuar për ta.

“Elitat janë si pjesa tjetër e shoqërisë, të gjithë mendojnë vetëm për veten e tyre. Pra, krijimi i aleancave është i vështirë. Por nëse disa liderë të shkathët përpiqen, Putin-i do të bjerë”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore