Lajme

Blinken takon Baerbock-in, bisedojnë edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, këtë të marte ka takuar Ministren Federale të Gjermanisë për Punë të Jashtme, Annalena Baerbock, me të cilën ka diskutuar, ndër të tjera edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Takimi ka ndodhur në kuadër të Samitit të NATO-s, që është mbajtur në Vilnius të Lituanisë, ndërsa për të njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit përmes një komunikate zyrtare.

Siç thuhet në njoftimin e lëshuar nga DASh-i sekretari Blinken e falënderoi Gjermaninë “për mbështetjen e fortë për Ukrainën, duke përfshirë ndihmën ushtarake, financiare dhe humanitare”.

“Sekretari Blinken nënvizoi angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe zgjerimin e Aleancës sa më shpejt të jetë e mundur me anëtarësimin e Suedisë”.

Ndërkaq, aty thuhet se sekretari amerikan dhe kryediplomatja gjermane “diskutuan gjithashtu situatën në Ballkanin Perëndimor, përballjen me sfidat e paraqitura nga Republika Popullore e Kinës dhe angazhimin tonë të përbashkët për paqen dhe sigurinë globale”.

Ndryshe, udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s, pas takimit në Vilnius të Lituanisë të martën e 11 korrikut, nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë bërë thirrje për qetësimin e situatës në Veriun e Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe u bëjmë thirrje palëve të shfrytëzojnë momentin dhe të angazhohen me mirëbesim drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”, thuhet në deklaratën e krerëve të shteteve të NATO-s.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që menjëherë të de-përshkallëzojnë situatën, t’i kthehen dialogut dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të arritur së fundmi në Bruksel (27 shkurt) dhe Ohër (18 mars)”.

Ndër të tjera thuhet se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR), do të vazhdojë të ofrojë një mjedis të sigurt dhe lirinë së lëvizjes për të gjithë qytetarët në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Samiti i NATO-s në Vilnius – Shtetet anëtare bëjnë thirrje për de-eskalim të situatës në veri dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore