Lajme

Bislimi u jep “ultimatum” mediave kosovare, insiston se “as sot” s’u fol për dinarin


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare, përkundër që mori pjesë në takimin e radhës në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi mbi dinarin serb, pretendoi se kjo çështje asnjëherë nuk ka qenë temë e dialogut, derisa akuzoi mediat kosovare për dezinformim.

“Ky takim as s’ka qenë i fundit e as i pari për dinarin, mendoj që është koha e fundit që ta shmangni këtë gabim në informim”, deklaroi zëvendëskryeministri pas përfundimit të takimit që u mbajt të enjten në nivel të kryenegociatorëve nën ndërmjetësimin e Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun, Mirosllav Lajçak, në Bruksel të Belgjikës.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë ta nxjerrin nga përdorimi dinarin serb brenda territorit kosovar, nuk e përmend dinarin, shtoi kryenegociatori kosovar dhe rrjedhimisht, as nuk ka diskutime për dinarin. Por përtej insistimit të Bislimit, diplomatët evropianë dhe amerikanë thonë të kundërtën.

“Takimi është për të trajtuar modelet me të cilat Serbia mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për serbët e Kosovës, brenda rregullores së BQK-së”, nënvizoi Bislimi, ndonëse ky është cikli i tretë në nivel të kryenegociatorëve që zhvillohet në kuadër të dialogut për gjetjen e një zgjidhjeje – ekskluzivisht – për çështjen e (mos)përdorimit të dinarit serb.

Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi për dinarin serb, ndërmjetësi sllovak nxori një “propozim të konsoliduar” për të cilin delegacioni kosovar beson se është “propozim konstruktiv” dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serb në Kosovë, duke respektuar rregulloren e BQK-së.

“Prapë pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel”, njoftoi ndër të tjera Bislimi në një prononcim para gazetarëve të pranishëm në kryeqendrën evropiane.

Megjithëse delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sërish pas dy javëve në kryeqendrën evropiane në kuadër të procesit të dialogut për çështjen e dinarit serb, zëvendëskryeministri kosovar vazhdon ta mohojë se ndalimi i valutës shtetërore të Serbisë është temë që meriton vëmendjen e palëve në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore