Lajme

Bislimi i çon letër Lajçakut, i kërkon heqjen e menjëhershme të masave ndaj Kosovës


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se ia ka nisur një letër me 10 pika emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, duke i kërkuar që BE-ja t’ia largojë menjëherë masat ndëshkuese që u ishin vendosur Kosovës gjatë muajit qershor të vitit të kaluar për mos përmbushjen e kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në Veri.

“Në një letër dërguar emisarit të BE-së, Lajçak, kam renditur përpjekjet që ka bërë Kosova ndaj kërkesave për heqjen e masave. Një largim i menjëhershëm i masave do të ndihmonte t’i mobilizonim përpjekjet për përparimin e përshpejtuar të reformave dhe të krijonim një mjedis për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin më të shpejtë të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Bislimi në platformën X.

Ndërsa në fillim të këtij viti, zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian që u ishin vendosur Kosovës do largohen “kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në Veri.

“Blloku është duke e vëzhguar situatën në terren dhe duke punuar bashkë me partnerët për të parë nëse janë ndërmarrë masat e duhura”, pati theksuar Stano gjatë një konference për media.

Muajin e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati potencuar se ka prirje nga disa vende për t’i keqpërdorur masat që blloku i vendosi në fillim të këtij viti ndaj vendit të saj, për ta “kushtëzuar atë për çështje plotësisht tjera”.

“Sa i përket masave, ato është dashur të hiqen moti, në fakt nuk është dashur të vendosen kurrë”, kishte thënë Osmani.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore