Kosova

Bislimi e Petkoviç takohen në Bruksel për “hapa konkretë” drejt zbatimit të marrëveshjes


Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi dhe i ai i Serbisë, Petar Petkoviç, do të takohen këtë të martë në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, derisa Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Mirosllav Lajçak, synon t’i bind palët të ndërmarrin “hapa konkretë” drejt implementimit të marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Fatkeqësisht nuk kemi parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Megjithatë, puna jonë vazhdon nesër kur do të mbledh kryengociatorët për hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të Marrëveshjes”, shkroi Lajçak në Facebook të hënën në mbrëmje.

Ky takim i kryenegocitorëve vije pasi më 26 qershor, pas takimit me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, kryeministri Albin Kurti, refuzoi takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pa plotësimin e këtyre tri kushteve.

Formalizmi i Marrëveshjes Bazë, tërheqja e letrës zyrtare të ish-kryeministres së Serbisë dorëzuar Bashkimit Evropian dhe dorëzimi i Milan Radojiçiç dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet kosovare, derisa sipas Kurtit me këto kushte Kosova po e mbron Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit, të cilat në vlerësimin e tij, janë “nën sulm”.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Ndryshe, Kosova nuk ka pranuar që prioritet kryesor të jetë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ka refuzuar t’i zbatojë obligimet që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe me integritetin territorial të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore