Lajme

Biden: Pushtimi izraelit i Gazës do të ishte ‘gabim i madh’


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka paralajmëruar se çdo pushtim izraelit i Gazës do të ishte “një gabim i madh”, pasi qeveria e Netanyahu-t përgatitet për një pushtim të mundshëm tokësor të territorit palestinez.

Në një videoklip të postuar nga CBS News’s 60 Minutes, Biden tha se ai mbështeste një korridor humanitar që do t’i lejonte njerëzit të dilnin nga Gaza si dhe do të lejonte dërgimin e ndihmave humanitare, përfshirë ushqimin dhe ujin, në Gaza.

“Kam besim se Izraeli do të veprojë sipas rregullave të luftës”, theksoi Biden.

Presidenti amerikan i tha gjithashtu 60 Minutes Scott Pelley se ai nuk besonte se Hamasi përfaqësonte “të gjithë popullin palestinez” dhe se ai donte ta shihte grupin të eliminohej plotësisht.

Në një intervistë për CNN, ambasadori i Izraelit në OKB Gilad Erdan iu përgjigj paralajmërimit të presidentit amerikan Joe Biden se pushtimi i Gazës pas shkatërrimit të Hamasit do të ishte një “gabim i madh”, duke thënë se Izraeli “nuk ka interes” të sundojë mbi 2 milionë palestinezë.

Erdan gjithashtu falënderon Biden për të kuptuar nevojën e Izraelit për të shkatërruar grupin terrorist me bazë në Gaza.

“Faleminderit President Biden për njohjen e asaj që Izraeli ka thënë që nga masakra barbare e Hamasit: qëllimi i Izraelit është eliminimi total i aftësive terroriste të Hamasit”, shkruan ai në Twitter.

Presidenti amerikan mund të shkojë në Izrael që javën e ardhshme, për të treguar mbështetjen e Amerikës ndaj Izraelit, në luftimet kundër Hamasit.

Ky është raportimi i fundit nga Axios, lidhur me planet e Biden-it për të vizituar Lindjen e Mesme, në një situatë e cila është jo vetëm më kaotikja, por edhe më e rrezikshmja dhe gjithëpërfshirësja e krijuar dekadat e fundit.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të shkojë të hënën e 16 tetorit në Izrael, për të dytën herë brenda pak ditëve.

Blinken ka zhvilluar takime të nivelit të lartë edhe në Arabinë Saudite, ku është takuar dy herë kokë më kokë me Princin e Kurorës, Mohamed Bin Salman, për të biseduar mbi çështjen e konfliktit Izrael Hamas.

Një inkursion i shtetit hebre në Gaza ndërkaq është i pritshëm nga çasti në çast, pas lajmërimeve të bëra nga Ushtria izraelite për banorët e Gazës veriore, që të largohen prej aty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore