Lajme

Biden, ftesë për në samitin e BE-së


Presidenti i Shteteve të Bashkuara (SHBA), Joe Biden, do të marrë pjesë në takimin e Këshillit Evropian (KE), që do të zhvillohet më 25 mars. Blloku i vendeve evropiane synon të “rindërtojë” marrëdhëniet me SHBA-në.

Ka qenë presidenti i KE-së, Charles Michel, që e ftoi Biden-in, për të ndarë opinionet lidhur me bashkëpunimet e ardhshme midis SHBA-së dhe BE-së.

Takimi, që do të zhvillohet virtualisht mes Biden-it dhe udhëheqësve të BE-së, shihet si një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve, të cilat u përkeqësuan nën administratën e mëparshme të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Brukseli, përpjekje për të “rindërtuar aleancën transatlantike”

Presidenti i Këshillit Evropian, në Twitter shkroi se, “ka ardhur koha për të rindërtuar aleancën transatlantike”.

Ndërkohë, në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë pohoi se Biden-i “do të angazhohet me udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) për të rivendosur marrëdhëniet SHBA-BE”.

“Të punojmë së bashku për të luftuar pandeminë, ndryshimet klimatike dhe për thellimin e  marrëdhënieve tregtare”, shtoi Michel.

Gjithashtu, ai pohoi se do të diskutohen dhe marrëdhëniet Kinë-Rusi, si pjesë e bisedimeve mbi interesat e përbashkëta të politikës së jashtme.

Takimi pason një shfaqje të unitetit midis Kinës dhe Rusisë. Ministrat e jashtëm të këtyre vendeve konfirmuan marrëdhëniet e tyre të ngushta në një takim më 23 mars.

Ministri i jashtëm kinez, Wang Yi, dhe homologu i tij rus Sergei Lavrov kritikuan Perëndimin për ndërhyrjen në punët e vendeve të tjera, ndërsa nxitën SHBA-në që të bashkohen sërish me marrëveshjen bërthamore të Iranit. SHBA-ja u tërhoq nga kjo marrëdhënie gjatë qeverisjes së ish-presidentit Trump.

Në një konferencë për shtyp, Yi kritikoi sanksionet e vendosura nga BE-ja, Britania, Kandaja dhe SHBA-ja kundër zyrtarëve kinezë për abuzimet e të drejtave të njeriut në Xinjiang.

Ndërkohë, Lavrov-i tha se sanksionet po afrojnë më shumë Rusinë dhe Kinën. Ai akuzoi Perëndimin se po u impononte rregullat e tyre shteteve të tjera, të cilët besojnë se duhet të mbështesin rendin botëror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore