Lajme

Biden falënderon Qatar-in dhe Izrael-in për përpjekjet për të siguruar lirimin e pengjeve amerikane


Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një deklaratë nga presidenti amerikan Joe Biden për lirimin e dy pengjeve amerikanë të liruar nga Hamasi më herët këtë mbrëmje.

“Sot, ne kemi siguruar lirimin e dy amerikanëve të marrë peng nga Hamasi gjatë sulmit të tmerrshëm terrorist kundër Izraelit më 7 tetor”, thotë Biden.

“Bashkëqytetarët tanë kanë kaluar një kalvar të tmerrshëm këto 14 ditët e fundit dhe jam shumë i lumtur që së shpejti do të bashkohen me familjen e tyre, e cila është dërrmuar nga frika”, shtoi ai.

Sipas autoriteteve amerikane, këta individë dhe familja e tyre do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara ndërsa shërohen, dhe ne të gjithë duhet “të respektojmë privatësinë e tyre në këtë moment”.

“Që nga momentet më të hershme të këtij sulmi, ne kemi punuar gjatë gjithë kohës për të liruar qytetarët amerikanë që u morën peng nga Hamasi dhe nuk i kemi ndërprerë përpjekjet tona për të siguruar lirimin e atyre që ende mbahen”, vijon Biden.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë falënderoi qeverinë e Qatar-it dhe qeverinë e Izraelit për “partneritetin e tyre në këtë punë”.

“Jill dhe unë kemi mbajtur afër në zemrat tona të gjitha familjet e amerikanëve të pagjetur”, vazhdon ai. “Dhe, siç u thashë atyre familjeve kur fola me ta javën e kaluar, ne nuk do të ndalemi derisa të marrim të dashurit e tyre në shtëpi. Si president, nuk kam prioritet më të lartë se siguria e amerikanëve të mbajtur peng në mbarë botën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore