Lajme

Biden etiketon lëvizjen politike të Trump-it si “më ekstremen” në historinë amerikane


Joe Biden, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka sulmuar lëvizjen e ish-presidentit Donald Trump si “organizata politike më ekstreme” që ka ekzistuar në historinë amerikane.

Ai ka ashpërsuar kritikat për ish-presidentin ndaj partisë republikane në vazhdën e zbulimeve mbi lëvizjen e mundshme të Gjykatës së Lartë të udhëhequr nga konservatorët për të drejtat e abortit.

Komentet e Biden-it kanë ardhur pasi demokratët kanë shprehur zemërim ndaj draftit të zbuluar të një projektvendimi të Gjykatës së Lartë që paralajmëronte një masë për të goditur Roe kundër Wade.

Ky i fundit është precedenti ligjor i vitit 1973 që garanton të drejtat e abortit në SHBA.

Publikimi i dokumentit mund të përmbysë dinamikën politike përpara zgjedhjeve afatmesme të nëntorit, duke u ofruar demokratëve një mundësi për të aktivizuar bazën e tyre dhe për të portretizuar republikanët si të ndikuar nga Donald Trump-i.

Biden-i dhe zyrtarët e tij të lartë kanë thënë se rëndësia e një lëvizjeje të mundshme nga Gjykata e Lartë për të përmbysur Roe vs Wade do të shtrihej shumë përtej çështjes së të drejtave të abortit në fusha të tjera në të cilat privatësia e individëve mund të minohet.

Në Gjykatën e Lartë, bilanci i pushtetit u anua në mënyrë vendimtare në favor të gjyqtarëve konservatorë pasi tre të nominuarit e Trump-it u konfirmuan nga një Senat i kontrolluar nga republikanët.

“Kjo turmë Make America Great Again është me të vërtetë organizata politike më ekstreme që ka ekzistuar në historinë amerikane”, ka thënë presidenti Biden.

Komentet e Biden-it kanë ardhur një ditë pasi kontrolli i qëndrueshëm i Trump-it në partinë republikane u konfirmua nga rezultatet e zgjedhjeve paraprake të Senatit në Ohio, ku JD Vance, kandidati i mbështetur nga ish-presidenti, mbizotëroi.

Jen Psaki, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, ka treguar se Biden-i ishte i shqetësuar nga kontrolli i Trump-it mbi partinë republikane.

“Ata janë kundër lejimit të grave që të bëjnë zgjedhje për kujdesin e tyre shëndetësor, kundër uljes së kostos së barnave me recetë. Nëse kjo mbetet platforma e tyre, pikëpamja e presidentit është se nuk është në rregull me rrjedhën kryesore të vendit”, ka vijuar ajo.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore