Kosova

“Besimi në BE po bie, unioni duhet të jetë më i angazhuar në Ballkanin Perëndimor”


Ilustrim

“Bashkimi Evropian duhet të jetë më i angazhuar në Ballkanin Perëndimorë në atë mënyrë për të kundërshtuar fushatat destabilizuese të Rusisë dhe Kinës që përhapin ndjenjat anti-BE”.

Kështu janë deklaruar disa nga anëtarët e Parlamentit Evropian nga Grupi Socialist dhe Demokrat.

Në një shkrim për mediumin “EU Observer”, në 30 vjetorin e fillimit të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, eurodeputetët i kanë kërkuar BE-së të jetë më aktivë për t’i dhënë fund krizës politike në Bosnje, duke përfshirë presionin dhe sanksionet kundër atyre që bojkotojnë institucionet shtetërore.

“BE ka detyrim të mbrojë integritetin territorial, unitetin dhe paqen e Bosnjës dhe të parandalojë kthimin e konfliktit si në vitin 1990”, shkruajnë eurodeputetët.

“Është e habitshme se sa të zhgënjyer po bëhen qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në raport me besueshmërinë në BE”, vazhdojnë ata.

Invazioni rus në Ukrainë sipas eurodeputetëve duhet të jetë një thirrje zgjimi për BE-në, që unioni të ri-angazhohet urgjentisht me Ballkanin Perëndimor.

“Vonesat e mëtejshme në procesin e zgjerimit të BE-së do ta bëjnë rajonin më të prekshëm. Disa fuqi rajonale dhe globale kanë një interes politik dhe financiar në rritje për të penguar ambiciet evropiane të gjashtë republikave të Ballkanit Perëndimor”, theksuan eurodeputetët.

Ata shtuan se influenca ruse dhe fushatat dezinformuese kanë lënë tashmë gjurmët e tyre, veçanërisht në Bosnje, Mal të Zi dhe Serbi.

Eurodeputetët vunë në dukje se varësia e Serbisë nga Moska shkon aq larg sa qeveria madje refuzoi të rreshtohej me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

“Nëse autoritetet serbe nuk e ndryshojnë kursin e tyre pas zgjedhjeve të së dielës së kaluar, atëherë kjo duhet të ketë pasoja për perspektivën e vendit në BE. Por në çdo rast, Evropa nuk duhet të heqë dorë nga rajoni. Më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për angazhimin dhe veprimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor për të kundërshtuar fushatat e ndërhyrjes së Rusisë dhe Kinës që përhapin ndjenjat anti-BE dhe përpjekjet për të destabilizuar të gjithë rajonin”, përfunduan ata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore