Shqipëria

Berisha akuzon Ramën se lobon kundër tij në SHBA/ Spiropali: Shijo perëndimin e more damkën


Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në senacën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, paraditen e 16 shkurtit duke bllokuar për disa minuta foltoren replikoi pa mikrofon me ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Berisha akuzoi kreun e qeverisë se po sulmon atë te SHBA-të ndërsa lobon për mirë ndaj figurës së presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

“I them parafolësit se si çdo fjalë që nxjerr nga goja edhe ato që tha, gjykata e ka dënuar për shpifje. Për çdo gjë që thua këtu do dënohesh për shpifje. Kam uruar Kosovën pa ardhur këtu për pavarësinë. Nuk e uroj këtu me ju sepse ju nuk e votuat ligjin për gjenocidin serb”, tha Berisha duke iu drejtuar kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Ndër të tjera Berisha theksoi se, “nuk mund të uroj me ju sepse kreu juaj është vasal i Vuçiç që lobon për atë në SHBA dhe sulmon Berishën”. Më tej ai i quajti ministrat e qeverisë si ‘hajn’ – vjedhës, hajdut.

Nga ana tjetër Spiropali iu drejtua Berishës duke i thënë se, “kujt i thua hajn ti që je shpallur botërisht hajn i SHBA-ve. Ke marrë damkën përfundimtare nga SHBA-të. Ik në shtëpi shijo perëndimin se nuk ka më agim për ty”.

Kujtojmë që Berisha dhe familja e tij janë shpallur si persona non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore