Shqipëria

Berat/ 26-vjeçari në pranga, posedonte dhe shpërndante heroinë


Policia e Shtetit godet një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza me vënien në pranga të 26-vjeçarit në Berat që posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike heroinë.

Përpos tij është proceduar penalisht edhe një shtetas tjetër për “Moskallëzim krimi”.

Kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Ç., 26 vjeç, banues në lagjen “30 Vjetori” të Beratit është realizuar nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Berat, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Sipas të dhënave të policisë, arrestimi i shtetasit u bë pasi, gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike heroinë dhe një peshore elektronike.

Gjithashtu si pjesë e operacionit është proceduar penalisht edhe shtetasi me iniciale A. I., 29 vjeç, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Moskallëzim krimi”.

Ndërkohë, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore