Shqipëria

Begaj pret zyrtaren e DASH, në fokus hapja e dyerve nga Shqipëria për afganët


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim zyrtaren e Departamentit Amerikan të Shtetit, të Dërguarën Speciale të SHBA-ve për gratë, vajzat dhe të drejtat e njeriut për Afganistanin, Rina Amiri.

Begaj i shprehu zyrtares së Departamentit të Shtetit falënderime për angazhimin e saj dhe të Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për gratë dhe vajzat jo vetëm në Afganistan, por edhe për avancimin e një agjende globale për përfshirjen e grave në proceset e paqes.

Gjatë bisedës, u vlerësua hapja e dyerve nga Shqipëria për të pritur afganët e larguar nga vendi dhe për trajtimin e tyre me dinjitet.

“Ne nuk ofrojmë vetëm strehë, por dhe mundësi për ata që duan të ndërtojnë një të ardhme këtu”, theksoi Presidenti Begaj.

Ai garantoi se Shqipëria si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB, si dhe do të jetë mbrojtëse dhe promovuese e të drejtave të njeriut.

Kujtojmë se tre vite më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu përgjigj pozitivisht kërkesës së SHBA-ve për të strehuar afganët në Shqipëri.

Talebanët morën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, ndërsa trupat e SHBA-ve dhe NATO-s ishin në javët e fundit të tërheqjes së tyre nga vendi.

Kjo pas dy dekadash lufte dhe ndërsa qeveria dhe ushtria afgane e mbështetur nga SHBA-ja u shpërbë.

Pavarësisht premtimeve fillestare për një rregull më të moderuar, ata shpejt filluan të zbatojnë kufizime për gratë dhe vajzat, duke i ndaluar ato nga hapësirat publike dhe shumica e vendeve të punës, dhe duke ndaluar arsimimin për vajzat përtej klasës së gjashtë.

Ndërsa talebanët ndoqën një rrugë gjithnjë e më të ashpër, pasoi një rënie e rëndë ekonomike, pavarësisht përpjekjeve të agjencive të ndihmës për të ndihmuar një pjesë të madhe të kombit të varfër.

Në ditët e tërheqjes kaotike, Washingtoni kishte vendosur të pranonte të gjithë ata që kishin punuar për qeverinë amerikane dhe trupat amerikane ose për organizatat mediatike me bazë në SHBA dhe grupet joqeveritare në Afganistan.

Por me kalimin e kohës, procesi i ndërlikuar i vizave për afganët që tregojnë se janë në rrezik persekutimi u zgjat.

Më shumë se 3 mijë e 200 afganë kanë qëndruar në resortet turistike të Shqipërisë përgjatë detit Adriatik.

Një anëtare e NATO-s, Shqipëria pranoi fillimisht të strehonte afganët e arratisur për një vit përpara se të zhvendoseshin për zgjidhjen përfundimtare në Shtetet e Bashkuara, më pas u zotua t’i mbante ata për më gjatë nëse vizat e tyre vonoheshin.

Ka rreth 76 mijë afganë tashmë në SHBA, ku përpjekjet e Kongresit që synojnë të zgjidhin përgjithmonë statusin e tyre të imigracionit gjithashtu kanë ngecur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore