Lajme

Beçiroviç: “NATO sa më parë të rrisë prezencën ushtarake në Bërçko të Bosnjës”


Ilustrim, Bosnja e Heregovina dhe Bashkimi Evropian

Denis Beçiroviç, Delegati i Dhomës së Popullit në Bosnje dhe Hercegovinë, i ka bërë thirrje NATO-s që të rrisë prezencën ushtarake në distriktin e Bërçkos dhe në pjesët e tjera të BeH-së.

“Në seancën e djeshme të jashtëzakonshme të Presidencës së SDP-së të Bosnjës dhe Hercegovinës, propozova një sërë konkluzionesh konkrekte që kanë për qëllim të ruajnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH-së”, lajmëron Beçiroviç në llogarinë e tij në Facebook.

“Jam posaçërisht i kënaqur, që ndër të tjera, konkluzionet që propozova u miratuan”.

Ndër konkluzionet e miratuara ishte thirrja ndaj NATO-s “që sa më parë të rrisin trupat ushtarake në Distriktin e Bërçkos dhe pikat e tjera nevralgjike të Bosnjës dhe Hercegobinës”.

Siç thotë delegati boshnjak “është e nevojshme të parandalohet shkëputja dhe konflikti i armatosur në BeH, por edhe në rajon, përmes veprimeve konrekte”.

Denis Beçiroviç, Delegati i Dhomës së Popullit në Bosnje dhe Hercegovinë

“Shteti i Bosnje dhe Hercegovinës është viktima më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe detyrimi ndërkombëtar i NATO-s, në përputhje me Aneksin 1A të Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqe në Bosnje dhe Herzegovinë është që të mbrojë efektivisht popullsinë e Bosnjës dhe Hercegovinës nga pasojat”.

Ai bëri thirrje Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar të BeH-së, që të nxjerr në pak subjektet dhe veprimet politike të atyre subjekteve që “synojnë prishjen e rendit kushtetues të shtetit të BeH-së”.

“Theksojmë fuqishëm se pavarësia politike, sovraniteti, integriteti territorial dhe subjektiviteti juridik ndërkombëtar i Shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës, anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara, do të mbrohen me ligj”, deklaron ai.

“Falënderojmë përzemërsisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e vazhdueshme, miqësore dhe konkrete ushtarake ndaj Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Forcat Ushtarake të Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës

“Gjithashtu u bëjmë thirrje anëtarëve të tjerë të NATO-s që, duke ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konkretisht dhe sa më parë, të ndihmojnë në pajisjen dhe trajnimin e Forcave të Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të këtë vetëm forca ligjore, të stërvitura për të mbrojtur sigurinë e të gjithë qytetareve, popullit, pavarësinë politike, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës”, kërkon Beçiroviç.

Të njëjtën kërkesë për vendosje më të madhe të forcave ushtarake të NATO-s në Bërçko, pati edhe Ish-sekretari i shtetit i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-udhëheqësi i Partisë Konservatore, William Hague, në një shkrim autorial  për “The Times”.

Aty Hague iu referua situatës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe theksoi se tensionet mund ta shtyjnë të gjithë Evropën në krizë.

Ai në këtë shkrim bëri thirrje që trupat e EUFOR-it të vendosen në Brçko dhe në Aeroportin e Tuzlës të entitetit serb brenda BeH-së sepse “Dodiku po i afrohet shkëputjes”, dhe, thotë ai, “kjo s’është dramatike”, por “masë e nevojshme për të ikur nga telashet e mëdha”.

Ish-sekretari i shtetit i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-udhëheqësi i Partisë Konservatore, William Hague

“Forcat e vogla ushtarake evropiane, të njohura më mirë si EUFOR, duhet të përforcohen me trupa të NATO-s të dislokuara në zona me rëndësi strategjike si Brçko dhe Aeroporti i Tuzlës. Kjo tingëllon dramatike, por vetëm forca dhe vendosmëria do të na largojnë nga telashet e mëdha”.

“Kolapsi në Afganistan tregon se çfarë ndodh kur Perëndimi humbet vëmendjen. E njëjta gjë nuk mund të lejohet të ndodhë brenda kontinentit evropian. Perëndimi duhet të shikojë në sytë e ftohtë të Vladimir Putin dhe të përballet me taktikat e tij”, thotë mes tjerash ai.

Zonë kyçe për Perëndimin, një rajon në të cilin është e nevojshme të kundërshtohet prishja e stabilitetit, është Ballkani.

“Historia ka treguar shumë herë se ne i shpërfillim rreziqet në Ballkanin Perëndimor”, paralajmëron ai.

“Ishte fokusi i vitit 1914 dhe skena e luftërave më të përgjakshme në Evropë gjatë viteve 1990. Këtu, Rusia është përpjekur të pengojë aspiratat e miliona njerëzve për të jetuar në shtete të qëndrueshme dhe me orientim perëndimor. Tentativë për grusht shteti në Mal të Zi, ndërhyrje në referendumin në Maqedoninë e Veriut dhe presion në rritje në jetën politike dhe biznesore në Serbi”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Federatës së Rusisës, Sergej Lavror dhe anëtari serb i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Millorad Dodik

Për të përfunduar kaosin, BE-ja ka mbyllur dyert e saj për zgjerimin e mëtejshëm dhe Britania e Madhe ka humbur ndikimin përmes Brexit, thuhet në tekst.

Hague deklaroi se Perëndimi, përfshirë Britaninë e Madhe, nuk e ka luksin të injorojë ngjarjet në Ballkan.

“Milorad Dodik ka vite që minon shtetin e Bosnjë-Hercegovinës me mbështetjen aktive të Rusisë dhe Serbisë. Për Moskën, kjo i shërben qëllimit të bllokimit të integrimit euroatlantik. Bosnja do të ishte si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, një vend që nuk ka asnjë shans të anëtarësohet në NATO apo të funksionojë ndonjëherë si një vend normal”, shkruan mes tjerash

“Javët e fundit situata është bërë serioze”.

“Dodik po i afrohet shkëputjes”, kishte potencuar Hague.

Anëtari serb i Presidencës së BeH-së, Millorad Dodik dhe udhëheqësi i partisë në pushtet të Republika Srpska-s, Aleanca e Social-demokratëve të Bashkuar, SNSD

“Ai tha se do të ngrinte një ushtri të serbëve të Bosnjës, pikërisht ushtrisë përgjegjëse për gjenocidin e Srebrenicës. Ai po përpiqet të përdorë dobësinë e Perëndimit për të përshpejtuar krizën që çon në rihartimin e hartave, me territorin që do t’i aneksohej Serbisë”.

Ai thekson se kërcënime të tilla paraqesin një sfidë të drejtpërdrejtë për Marrëveshjen e Dejtonit.

“Kur dikush mund t’i lëvizë sërish kufijtë e shteteve në baza etnike, ka shumë më tepër pakica, vendndodhja e të cilëve mund të përdoret si justifikim për të lëvizur disa kufij të tjerë. Askush nuk duhet të dyshojë se e gjithë kjo përbën një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e fqinjësisë evropiane”, vazhdon shkrimi.

Në fund të tekstit, ish-kreu i Partisë Konservatore iu referua edhe njoftimeve se ministrja e Jashtme britanike Liz Truss do të fokusojë punën e saj edhe në Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore