Kosova

BE-ja paralajmëron pasoja për Kosovën nëse s’e themelon Asociacionin


Ilustrim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, paralajmëroi të martën pasoja për Kosovën, posaçërisht sa i përket rrugëtimit drejt integrimeve evropiane, në rast se nuk e përmbushë obligimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Duke kujtuar se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është detyrim për Kosovën dhe kjo tashmë është përsëritur disa herë nga liderët evropianë, ai shtoi se nëqoftëse autoritetet kosovare nuk lëvizin drejt themelimit të këtij mekanizmi, atëherë kjo do të shihej si sinjal negativ për procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Nëse Kosova nuk është në gjendje të japë rezultate në këtë drejtim, atëherë nuk do të shihet si sinjal pozitiv se ajo dëshiron të lëvizë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që tash është i lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së”, deklaroi Stano në një konferencë për shtyp.

Megjithatë, ai njoftoi se në takimin e kësaj jave që pritet të zhvillohet në nivel të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – çështja kryesore do të jetë sërish gjetja e një zgjidhjeje për dinarin serb që autoritetet kosovare e ndaluan të përdoret brenda territorit.

Kujtojmë se edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, kërkoi të hënën që palët t’i përmbushin të gjitha detyrimet e dialogut të lehtësuar nga BE-ja – për Kosovën, shtoi top diplomati amerikan, kjo përfshin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore