Kosova

BE-ja ndryshon agjendën e takimeve Kurti-Vuçiç në Bruksel


Ilustrim

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do t’i presë të mërkurën për një raund të ri të negociatave kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në përpjekje për të çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Megjithatë, zyrtarët e BE-së bënë disa ndryshime në agjendën e takimeve – përderisa në njoftimin e së martës nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) thuhej se takimet do të fillonin në orën 15:00 pasdite, në bazë të njoftimit të ri, bisedimet politike rreth dialogut do të nisin nga ora 16:30.

Borrelli, i cili është në fund të mandatit, por edhe emisari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara me të dy liderët nga ora 16:30, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh, që pritet të nisë në orën 18:00. Do të ketë deklarata për shtyp para dhe në fund të takimeve.

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme, ata nuk kanë arritur akoma t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Për këtë arsye, por edhe për shkak të potencialit shpërthyes të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, pas më shumë se 9 muaj pa takim të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb pritet të takohen sot në Bruksel të Belgjikës për t’i vazhduar negociatat për kompromis nën ndërmjetësimin e diplomatëve të lartë evropianë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore