Kosova

BE-ja “minimizon” letrën e ligjvënësve evropianë: Qasja ndaj partnerëve formohet njëzëri – Janë 27 parlamente dhe mijëra parlamentarë


Ilustrim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, konfirmoi të martën se letra e disa ligjvënësve të lartë për Politikë të Jashtme nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, lidhur me procesin e dialogut ndërmjet Kosovë-Serbi dhe situatën politike e të sigurisë në veriun e trazuar të Kosovës, ka arritur tashmë në adresën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell.

Dhjetra ligjvënës nga shtetet anëtare të BE-së, senatorë amerikanë dhe ekspertë të Politikës së Jashtme nga vendet aleate, kanë kërkuar nga BE-ja, SHBA-të dhe Britania e Madhe një qasje më të ashpër dhe më të vendosur ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa kanë tërhequr vërejtjen se në adresimin e krizës në veriun e tensionuar të Kosovës, politika e përbashkët perëndimore duhet të udhëhiqet nga “gabimet e së kaluarës”.

Në një përgjigje për Albanian Post, ndonëse nuk e komentoi në detaje letrën që në Kosovë është pritur me entuziazëm të madh nga opinioni publik, por edhe nga majat e pushtetit, zëdhënësi i BE-së kujtoi se Politika e Jashtme dhe qasja e BE-së ndaj partnerëve janë formuar njëzëri nga 27 shtete anëtare të përfaqësuara nga qeveritë e tyre kombëtare, ndërsa shtoi se BE-ja vazhdon të udhëhiqet nga parimi i neutralitetit sa i përket zhvillimeve në dialog.

“BE-ja ka 27 shtete anëtare me 27 parlamente dhe mijëra parlamentarë. Politika e Jashtme dhe qasja e BE-së ndaj partnerëve janë formuar unanimisht nga 27 shtete anëtare të përfaqësuara nga qeveritë e tyre”, deklaroi Stano për Albanian Post, teksa komentoi letrën ku shprehej shqetësimi i ligjvënësve dhe domosdoshmëria për kthimin e “ekuilibrit dhe proporcionalitetit” në qasjen e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë.

“BE-ja është lehtësuese neutrale në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja vlerëson angazhimin e palëve në dialog bazuar në meritat e tyre individuale dhe raporton tek shtetet anëtare. BE-ja u ka bërë kërkesa të dyja palëve për të zgjidhur tensionet aktuale dhe për të mundësuar vazhdimin e procesit të normalizimit”, saktësoi Stano, duke iu referuar kërkesave që janë shprehur në deklaratën e 27 vendeve të BE-së më 3 qershor.

Gjithashtu, në letër shprehet shqetësimi se diplomatët perëndimorë po ndjekin një politikë të butë ndaj Serbisë, nga frika se ajo mund të rreshtohet në anën e Rusisë, kurse nga ana tjetër “Kosova është përballur me pasoja të rëndësishme”, por zëdhënësi i BE-së ka garantuar se institucionet evropiane aktualisht po monitorojnë nga afër përmbushjen e kërkesave të BE-së nga Serbia dhe është e gatshme të marrë masa edhe ndaj saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore