Teknologji

BE dhe Britania hapin hetime për Nvidia


Bashkimi Evropian (BE) dhe Britania e Madhe janë të vendosur të hapin hetime të thelluara për blerjen prej 40 miliardë dollarësh nga “nVIDIA” të projektuesit të çipave “Arm” me seli në Britani. Hetimi erdhi pas kërkesës së rivalëve, të cilët kërkuan bllokimin e marrëveshjes.

Zyrtarët dhe këshilltarët në Bruksel dhe Britani thanë se kontrolli serioz i marrëveshjes ishte i garantuar. Kjo duke pasur parasysh rëndësinë në rritje të modeleve të Arm-it. Modele të cilat përdoren pothuajse në të gjithë procesorët e smartphone-ve dhe shumë pajisje të tjera që kërkojnë çip.

“Kjo marrëveshje do të hetohet plotësisht dhe shqyrtimi mund të çojë deri në një bllokim”, tha një person me njohuri të drejtpërdrejtë të situatës. Të tjerët vunë në dukje se marrëveshja mund të kalonte edhe pa kushte.

Marrëveshja, e shpallur shtatorin e kaluar, po përballet me dyshime edhe në SHBA e Kinë.

Nvidia dhe SoftBank, pronari aktual i Arm, vendosën një afat kohor 18-mujor për përfundimin e marrëveshjes në pritje nëse rregullatorët do të kishin pyetje.

Hetimet janë ende në një fazë paraprake. Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve në Britani ka ftuar përfaqësuesit e tregut të paraqesin pikëpamjet e tyre. Autoriteti është zotuar të hapë një hetim zyrtar në muajt e ardhshëm. Dokumentet ende nuk janë depozituar zyrtarisht në Bruksel.

Projektimet e Arm-së përdoren gjerësisht në industrinë e çipave. Klientët e saj të mëdhenj përfshijnë Apple, Samsung, Qualcomm dhe Broadcom. Disa kompani që mbështeten në teknologjinë e Arm-së kanë frikë se kur ajo bie nën kontrollin e Nvidia, konkurrentin e tyre, ata do të jenë në disavantazh.

Jensen Huang, shefi ekzekutiv i Nvidia-s, ka hedhur poshtë shqetësime të tilla. Në një letër për Financial Times, ai shkruajti: “Unë mund të them pa mëdyshje se Nvidia do të mbajë modelin e hapur të licencimit të Arm-së. Ne nuk kemi ndërmend të ndalojmë furnizimin me Arm të çdo klienti.”

Sidoqoftë, rivalët e Nvidia kanë lobuar me zyrtarë të ligjeve rregullatorë të konkurencës në BE dhe Britani për të bllokuar marrëveshjen, shkruan Financial Times.

“Shqetësimi kryesor është humbja e neutralitetit të Arm-së. Për momentin kompania është shumë neutrale në paketat e saj me klientët e saj. Shqetësimi kryesor është që në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, Nvidia do të përdorë Arm-në për të disavantazhuar kompanitë e tjera dhe për të nxitur teknologjinë e vet”, tha një rival i shqetësuar.

Zyrtarët gjithashtu kanë frikë se rregullatorët do të jenë të pafuqishëm për të detyruar Arm-në të mbetet neutral në të ardhmen.

“Ka një shans të mirë që marrëveshja të bllokohet sepse nuk ka asnjë mënyrë reale për të ruajtur neutralitetin. Do të ketë stimuj të papërmbajtshëm ekonomikë nëse Nvidia kombinon elementet me Arm-në. Përndryshe, pse po paguajnë 40 miliardë dollarë? ” Tha një informator për Financial Times.

Nga ana tjetër, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po shikon nëse marrëveshja do të ketë ndonjë implikim për sigurinë kombëtare. Kjo, pasi Oliver Doëden, sekretari Digjiitalizimit, Kulturës, Medias dhe Sportit, u vu nën presion për të ndërhyrë.

Zëdhënës për Nvidia- tha: “Ky transaksion është i shkëlqyeshëm për inovacionin dhe konkurrencën e tregut. Ne kemi besim se rregullatorët do të shohin përfitimet për ekosistemin e teknologjisë “.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore