Sport

Bayern kalon pa probleme Schalke-n


Bayern Munich ka fituar 2-0 në transfertë përballë Schalke 04 takimin e javës së 15-të në Bundesliga-n gjermane.

Në ndeshjen e zhvilluar në “VELTINS-Arena”, miqtë ishin ata që dominuan përgjatë 90 minutave dhe në fund dolën me tri pikët.

Goli i parë i sfidës u shënua nga Serge Gnabry në minutën e 38. Ndërsa, Eric Maxim Choupo-Moting realizoi golin që do të vuloste fitoren e bavarezëve në minutën e 52.

Super talenti gjerman, Jamal Musiala, i ftuar së fundmi nga Kombëtarja e tij në Kupën e Botës, Katar 2022, dhuroi dy asistime.

Asnjë lojtar gjerman nga pesë ligat më të mira të Evropës nuk është përfshirë drejtpërdrejt në aq gola në të gjitha garat këtë sezon sa Musiala (20) dhe Gnabry (19).

Gjithashtu Musiala, në moshën 19 vjeç e 259 ditë, është lojtari më i ri që ka bërë 100 paraqitje për Bayern Munich-un në të gjitha kompeticionet që nga themelimi i Bundesliga-s.

Me fitoren e arritur, Bayern shkon në kuotën e 34 pikëve pas 15 javësh të luajtura. Gjashtë pikë më pak ka Leipzig-u i vendit të dytë.

Union Berlin dhe Freiburg që renditen në vendin e tretë dhe të katërt kanë nga 27 pikë, por dhe nga një ndeshje më pak.

Përsa i përketë skuadrës së Schalke-s, ajo ka vetëm nëntë pikë në 15 javë të luajtura dhe qëndron në fundin e tabelës së klasifikimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore