Lajme

Basti i rrezikshëm i Hungarisë për fuqinë bërthamore ruse


“Nëse ndërtohet termocentrali i ri, do të bëhet mirë si për qytetin ashtu edhe për vendin”.

Kështu ka thënë Janos, një inxhinier bërthamor që punon në bllokun e reaktorit të dytë të stacionit ekzistues të energjisë bërthamore në Paks.

Por paçka angazhimit të palëkundur të qeverisë hungareze ndaj projektit Paks 2 dhe angazhimit rus për të furnizuar financat dhe teknologjinë, lufta në Ukrainë po e bën termocentralin e ri më pak të mundshëm.

Ai përbën investimin më të madh në historinë hungareze.

Dhe qeveria e atjeshme pretendon se do ta bëjë vendin më pak të varur nga Rusia, nga e cila Hungaria merr pjesën më të madhe të naftës dhe gazit.

Mirëpo, kritikët supozojnë se do ta bëjë Hungarinë edhe më të varur nga Rusia për pjesën më të madhe të këtij shekulli.

Stacioni i energjisë bërthamore Paks 1, në bregun e Danubit u ndërtua nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1980 dhe katër reaktorët ende furnizojnë rreth 40 për qind të nevojave elektrike të Hungarisë.

Në vitet 2030, ai do të pushojë së funksionuari.

Në vitin 2014, kryeministri Viktor Orban nënshkroi një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin për të ndërtuar dy reaktorë të rinj 1200 MW krahas atyre të vjetër.

Rusia do të financojë centralin me një kredi prej 10 miliardë eurosh, të cilën konsumatorët hungarezë duhet ta paguajnë në faturat e tyre të energjisë elektrike, duke filluar nga viti 2026.

Vitet e vonesave me lejet bënë që puna për pastrimin e tokës në kantier filloi vetëm gushtin e kaluar.

Teksa Hungaria ka ecur përpara me Paks 2, majin e kaluar Finlanda anuloi një fabrikë të ngjashme, të ndërtuar nga Rusia në gadishullin Hanhikivi në mes të ndërtimit, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Tani, lufta në Ukrainë është gjithashtu një re e zezë mbi projektin Paks.

Luftimet në ditët e para rreth ish-uzinës bërthamore të Ukrainës në Çernobil dhe duelet e artilerisë rreth uzinës Zaporizhzhia, më e madhja në Evropë, e kanë dëmtuar projektin.

Edhe ata që besojnë te Paks 2 tani janë të shqetësuar.

“Izolimi i Rusisë nuk është zgjidhje, edhe në këtë situatë lufte”, ka thënë Attila Aszodi, ish-komisioner i qeverisë për Paks 2.

“Paks 2 është një projekt thjesht politik”, kanë vijuar ai, duke treguar marrëdhëniet e ngushta të vendosura nga Viktor Orban me Vladimir Putin që nga viti 2009.

Që nga pushtimi i Ukrainës, udhëheqësi hungarez është tërhequr vazhdimisht kundër sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe zyrtarët kanë mbajtur lidhje të ngushta diplomatike me Moskën.

“Nga perspektiva energjetike, nuk është e nevojshme të ndërtohet Paks 2 dhe definitivisht nuk është e nevojshme të ndërtohet me rusët”, ka theksuar ai.

Sipas tij, paratë do të shpenzoheshin më mirë për energjitë e rinovueshme si energjia diellore, nga e cila Hungaria tashmë merr 10 për qind të energjisë së saj.

Po ashtu edhe për përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike.

Këtë vjeshtë, qeveria përfundoi papritmas subvencionet për familjet që instalonin panele diellore sepse rrjeti nuk mund të përballonte inputet e reja.

Gjithashtu e ka bërë të pamundur energjinë e erës, duke ndaluar ndërtimin e turbinave brenda 10 kilometrave nga një vendbanim.

Lista e komplikimeve si pasojë e luftës në Ukrainë është e gjatë.

Shumë komponentë kryesorë të uzinës supozohet të ndërtohen në Rusi dhe të transportohen.

Plani fillestar ishte për t’i sjellë ato përmes Ukrainës dhe nuk ka rrugë alternative të dukshme.

Supozohet se do të punësohen disa mijëra saldatorë.

Nën presionin e BE-së, tani është një hibrid, duke përdorur pajisje ruse dhe një sistem kontrolli që do të ndërtohet nga konsorciumi Framatome franko-gjerman.

Sakaq, turbinat supozohet të ndërtohen nga GE Hungary, një degë e firmës amerikane General Electric.

Mirëpo, mbetet e vështirë të imagjinohen inxhinierë amerikanë, gjermanë dhe francezë që punojnë krah për krah me shokët e tyre rusë, 400 kilometra nga kufiri i një vendi që rusët e bombardojnë ditë e natë.

Ka edhe pikëpyetje të tjera.

A do të zgjasë BE sanksionet ndaj teknologjisë bërthamore dhe punonjësve të firmës shtetërore ruse bërthamore Rosatom?

Energjia bërthamore e ka transformuar Paks-in nga një qytet i vogël, i përgjumur, buzë lumit, në një nga më të pasurit në Hungarinë provinciale.

Rrugët janë të mbushura me parukeri, dyqane rrobash, restorante dhe bare. 2 mijë e 700 njerëz punojnë në Paks 1, me shtatë mijë të tjerë të varur nga uzina si nënkontraktorë.

Gjatë ndërtimit, Paks 2 supozohet të tërheqë edhe dhjetë mijë të tjerë.

Blloqet e reja inteligjente të banesave janë pothuajse të përfunduara për inxhinierët rusë që do të punësohen. Por, tani për tani, qyteti po mban frymën.

“Thjesht nuk e di se çfarë do të ndodhë. Nuk jam profet. Nuk mund të parashikoj se kur do të ndërtohet”, ka thënë Janos.

Kurse ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, i cili është përgjegjës i projektit, ende flet me besim për vitin 2030.

Teksa është optimist se Rusia do t’i përmbushë premtimet, hezitimi i partnerëve të Hungarisë në BE për të punuar në ndonjë projekt energjetik rus për shkak të luftës ka të ngjarë të shkaktojë probleme në Budapest në të ardhmen.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore