Lajme

Basri Lenjani dënohet me 6 muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë


Drejtori i Klinikës Emergjente në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Lenjani.

Ish-drejtori i Emergjencës në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Lenjani, është dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë për mosraportim të pasurisë.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Lenjani, është bërë të hënën nga gjyqtarja Sulltane Hoti.

Dënimi me burgim prej 6 muaj, të akuzuarit Lenjani nuk do t’i ekzekutohet nëse nuk kryen vepër penale brenda periudhës verifikuese prej 1 viti, raporton Betimi për Drejtësi.

Mirëpo, në rast se nuk e paguan dënimin me gjobë, ky dënim do t’i zëvendësohet me dënim me burg, duke llogaritur 20 euro një ditë të kaluar në burg.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 10 maj 2022 i akuzuari Lenjani është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

“Nuk dua të deklarohem për këtë rast”, kishte thënë Basri Lenjani, Drejtori i Klinikës Emergjente në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, për Albanian Post, pasi që është pyetur për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, për veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar në qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Lenjanin për mosraportim të saktë të pasurisë për vitin raportues në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), ashtu që i njëjti nuk e ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij e po ashtu nuk ka deklaruar edhe të hyrat vjetore në shumë mbi 5 mijë euro, raporton Betimi për Drejtësi.

Siç thuhet në aktakuzë, Basri Lenjani, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, po akuzohet se nuk e ka deklaruar saktë pasurinë për vitin raportues 1 janar deri me 31 dhjetor 2019, në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Në atë mënyrë që i njëjti nuk e ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij Fatime Lenjani me emrin “OS ORAL DENT” e po ashtu nuk ka deklaruar edhe të hyrat vjetore në shumën prej 5 mijë e 125 euro ku 2 mijë 763 euro i ka pranuar në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nga SHSKUK, ndërsa shumën prej 2 mijë 441 euro i ka pranuar nga Kolegji Privat i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” në cilësinë e profesorit të asocijuar.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore