Lajme

Bashkëshortja e Navalny-t e falënderon atë për “26 vite lumturi absolute”


“Faleminderit për 26 vite lumturi absolute. Po, edhe gjatë tre viteve të fundit të lumturisë. Për dashurinë, që më mbështete gjithmonë, që më bëre të qesh edhe nga burgu, për faktin që ke menduar gjithmonë për mua”.

Kështu është shprehur bashkëshortja e Alexei Navalny-t, Yulia, në një homazh prekës për bashkëshortin e saj në mediat sociale.

Ajo, së bashku me fëmijët, jetojnë jashtë vendit dhe kanë vendosur të mos udhëtojnë në Rusi mes shqetësimeve nga Kremlini.

“Nuk di si të jetoj pa ty, por do të përpiqem të të bëj të lumtur dhe krenar. Nuk e di nëse mund ta përballoj apo jo, por do të përpiqem”, ka vijuar ajo mesazhin prekës.

“Do të takohemi patjetër një ditë… Të dua përgjithmonë. U prefsh ne paqe”.

Ajo po ashtu ka postuar edhe pamjet e disa prej momenteve më të paharrueshme të jetës me të.

Turma të mëdha rusësh u mblodhën të premten në një mëngjes gri dhe të ftohtë në Moskë për funeralin e liderit të opozitës Alexei Navalny.

Midis të pranishmëve në periferi të Moskës ishin Boris Nadezhdin, kandidati kundër luftës, i cili u skualifikua nga kandidimi në zgjedhjet presidenciale të Rusisë këtë muaj, dhe Yevgeny Roizman, ish-kryebashkiaku i Yekaterinburgut dhe një kritik i shquar i Putinit.

Disa ambasadorë perëndimorë u panë gjithashtu në pamjet video të drejtpërdrejta, duke përfshirë të dërguarit e SHBA-ve, Francës dhe Gjermanisë.

Të premten në mëngjes, forcat e rendit ruse arrestuan një pjesë të vogël të vajtuesve disa orë përpara fillimit të funeralit.

Arrestimet ndezën frikën e përtërirë, të shprehur këtë javë nga e veja e Navalny, Yulia, se autoritetet mund të godasin ata që duan t’i bëjnë nderimet e fundit liderit të opozitës.

Grupi i të drejtave OVD-Info raportoi se katër persona ishin arrestuar teksa po niseshin nga qyteti jugor i Voronezh për të marrë pjesë në shërbimin e varrimit dhe funeralin e Navalnyt.

Një person i arrestuar ishte një koordinator lokal i fushatës për Nadezhdin.

Që nga vdekja e tij e papritur në një koloni penale në veri të rrethit Arktik në shkurt, ekipi i Navalny thotë se është përballur me pengesa të vazhdueshme nga autoritetet ruse.

Ekipi ka akuzuar autoritetet se kanë refuzuar të lirojnë trupin e Navalny-t dhe më pas kanë bërë presion në vendet në Moskë që të mos organizojnë funeralin e tij.

Deri të enjten vonë, në prag të funeralit, zëdhënësi i Navalnyt tha se nuk mund të gjenin një makinë për të sjellë trupin e Navalny-t në Kishën e Ikonës së Zonjës.

Edhe pse autoritetet ruse nuk e ndaluan në mënyrë eksplicite funeralin apo e etiketuan atë si të paligjshëm, ka shenja se ata do ta trajtojnë atë si të tillë.

Mediat ruse raportuan se linjat e furgonëve të ndalimit ishin në vendngjarje.

Disa media raportuan gjithashtu se qasja në internet në lagje ishte me probleme të premten në mëngjes.

Në ditët para funeralit, një numër rusë thanë se kishin marrë paralajmërime nga policia që të mos merrnin pjesë në asnjë tubim.

Zëdhënësi i Putinit, Dmity Peskov tha se Kremlini nuk ka “asgjë për t’u thënë të afërmve të Navalny”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore