Gjykata Speciale

“Bashkëpunëtor i krimeve të Arkanit”: Ish-ushtarët e UÇK-së në Kaçanik flasin për rolin e Agim Idrizit në luftë


Foto: Albanian Post

Si bashkëpunëtor të kriminelit famëkeq Zeljko Raznatoviç – i njohur me nofkën Arkan – dhe promotor të krimit në Kaçanik e ka quajtur Agim Idrizin – dëshmitarin e Gjykatës Speciale në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Enver Axhami, pasi emri i këtij të fundit u përmend nga Idrizi gjatë dëshmisë së tij në Speciale.

Në një prononcim për Albanian Post, ish-ushtari i UÇK-së, e ka mohuar se ia ka rrahur familjarët Agim Idrizit, pasi ky i fundit e akuzoi Axhamin se këtë e ka bërë në emër të UÇK-së.

“Nuk është e vërtetë, por ajo është e drejta e tij të shprehet ashtu. Ka qenë i privilegjuar, e din i gjithë Kaçaniku. Nuk ka lënë gjë të keqe pa bërë në Kaçanik. Askush nuk ia ka prekur as me gisht të vogël familjen”, tha Axhami për AP.

Ai kishte vuajtur katër vite burgim pas luftës për që siç ka thënë ai, akuzave të rreme të Idrizit.

“Ai ka shpifur ndaj familjes sime, ka thënë të pavërteta. Kam vuajtur dënimin mbi 4 vite pa asnjë faj për shkak të akuzuara të rreme të tij”, shtoi.

“Agim Idrizi e disa policë serbë kanë bërë dëme të mëdha në qytet”, ka treguar Axhami.

Edhe Nuhi Provoliu kishte qëndruar në burg gati dy vite në bazë të akuzave të Idrizit për maltretim dhe vrasje gjatë luftës, por ai në një bisedë për AP mohoi akuzat e Idrizit.

“Nuk ka qenë asnjëherë i maltretuar, por ka qenë i arrestuar për mos t’i bërë dëme pjesës ku ka jetuar ai. Tash, po shpif për ta shpëtuar vetveten.  Ka qenë i privilegjuar, gjitha të dëshmitë i ka dhënë të rrejshme. Nëse është i pastër pse nuk vjen për të jetuar në Kaçanik, por jeton në Suedi?’, ka pyetur ai.

Edhe Provoliu e ka akuzuar Idrizin se ka qenë bashkëpunëtor i policisë serbe gjatë vitit 1999.

“Në fshatin e tij kanë treguar se ai ka qenë pjesë e një eskorte të policisë serbe ku janë maltretuar qytetarët. Gjatë asaj dite ka pas edhe të vrarë”, potencoi ai.

Çka dëshmoi Agim Idrizi në Speciale?

Agim Idrizi ka dëshmuar për dy ditë me radhë në Gjykatën Speciale, derisa e ka mohuar që i ka “mbyllur shqiptarët në burgje”.

“Dje më kishin shpallur tradhtar të kombit, marre. Dikush duhet ta paguaj që më është shkatërruar jeta. Jam i lumtur që isha këtu të flas, unë vet kam kërkuar që të jem këtu”, shtoi ai.

“Kush ka informata se kam qenë polic le të tregojnë, nuk bën kështu. Për këtë kam ardhur këtu”, ka potencuar ai.

Idrizi ka thënë se nuk ka pasur problem me UÇK-në, por me një person të quajtur Enver Haxholli për një pronë.

“Nuk është çështje UÇK-së, nuk ka lidhje me UÇK-së. Kam pasur probleme për pronë me një person”, tha Idrizi.

“UÇK nuk ishte në dijeni që Enveri Haxholli më arrestoi. Ata nuk e kanë parë çka është duke ndodh, ka dashur të më vras pa e ditur askush ku jam”, ka shtuar ai.

Idrizi është marr në pyetje edhe nga prokurori James Pace, i cili e ka pyetur nëse ka qenë roje pylli dhe nëse ka punuar për policinë serbe, por Idrizi e ka mohuar.

“Nëse dikush mundet ta gjejë emrin tim që kam punuar polic, ai është hasmi më i madh i imi, kjo nuk është e vërtet. Besën e shqiptarit po ia jap se unë nuk kam qenë roje e pyllit dhe polic, këto janë gënjeshtra”, tha Idrizi.

“Kam qenë i burgosur në vitin 1999. Kurrë askujt keq nuk i kam bërë. Le të del dikush le të thotë se dikujt i kam bërë keq. Kurrë në jetën time nuk ka fol keq për askënd nuk më kanë interesuar këto gjëra”.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore