Shqipëria

Basha uron anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar: Keni besimin e demokratëve


“Keni besimin e demokrateve dhe përgjegjësinë për të luftuar çdo ditë pranë qytetarëve, për shqetësimet e vogla dhe të mëdha të familjeve shqiptare”.

Kështu ju është drejtuar kreu i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, të dielën e 18 korrikut përmes një postimi në median sociale Facebook.

Ndër të tjera Basha ka shprehur mirënjohje për delegatët që në Kuvendin Kombëtar “përfaqësuan demokratët” anembanë Shqipërisë.

Duke iu uruar suksese anëtarëve të rinj, të përzgjedhur për të qenë pjesë e Këshillit Kombëtar për katër vitet në vazhdim, Basha tha se ky Këshill “do të jetë një urë bashkëpunimi me shoqërinë, për të ndërtuar së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë”.

“Sfidat që kemi përpara janë te mëdha, por vullneti dhe vendosmëria jonë po ashtu”, shkruan Basha.

Partia Demokratike (PD), të dielën e 18 korrikut, ka publikuar rezultatin e votimit për anëtar fitues të Këshillit Kombëtar.

Numërimi i votave për anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike (PD) ka përfunduar rreth orës 3 të mëngjesit të 18 korrikut.

Sipas burimeve zyrtare të kontaktuar nga Albanian Post (AP), rreth kësaj ore është bërë renditja e të dhënave, të dala nga 14 komisionet e numërimit. Në vijim do të bëhet dhe renditja e anëtarëve sipas kuotave të përcaktuara paraprakisht duke respektuar barazinë gjinore dhe përfshirjen e të rinjve sipas qarqeve.

Analiza e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare

Kanë qenë të shumtë anëtarë partie që kanë shprehur mendimin e tyre në këtë Kuvend.

I pari ishte nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, i cili tha gjatë fjalës së tij se të fajësosh Lulzim Bashën për humbjen e zgjedhjeve është “si t’i shërbesh kundërshtarit”. Ku edhe deputetja e zgjedhur e PD-së, Albana Vokshi, foli në Kuvendin Kombëtar të PD-së për “masakrën zgjedhore”.

I po të njëjtës linjë me anëtarët e PD-së ishte dhe sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Gazment Bardhi. Gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar, Bardhi tha se rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit 2021, “ishte zhgënjyes”.

Drejtuesi politik i PD-së në qarkun Lezhë, Mark Marku kërkoi në Kuvend që të bëhet një analizë e thelluar dhe të ndryshohet strategjia për faktin e humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit. Ndër të tjera, Marku kritikoi dhe organizimin e Kuvendit Kombëtar.

Miratohet Komisioni i Punimeve

Pas fjalës së kryetarit të PD-së, Kuvendi Kombëtar i PD-së ka zgjedhur Komisionin e Miratimit të Punimeve, ku të gjithë delegatët miratuan propozimin e Bashës.

Në krye të Komisionit u zgjodh si më i votuari Jemin Gjana, ndërsa u votuan për anëtar Gazment Bardhi, Edi Paloka, Edmond Spaho dhe Albana Vokshi. Ndërsa Komisioni për Ankimimet do të përbëhet nga Lulzim Omuri, me kryetar, Marinela Ziu dhe anëtare Minushe Lazaj.

Prapaskenat e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së

Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, është vënë re mungesa e një emri jo pak të njohur nga radhët e PD-së. Bëhet fjalë për ish-presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani.

Nishani një kontribues i PD-së, njëkohësisht dhe kryetar i Këshillit Kombëtar nuk mori pjesë në mbledhjen e sotshme.

Që pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Nishani u bë një kritik i hapur ndaj kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Këtë të fundit ai e akuzoi si personin përgjegjës për humbjen e PD-së.

Ndërsa Agron Shehaj, kandidat për postin e kreut të PD-së, dhe deputet i zgjedhur për Qarkun e Tiranës, refuzoi të mbante fjalimin e parashikuar në Kuvendit Kombëtar të PD-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore