Shqipëria

Basha: Peshku kalbet nga koka


Fill pas mbledhjes së kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët socialistë, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha.

Sipas tij, “shqiptarët e dinë që peshku kalbet nga koka”.

“Mund të lash duart me një kryebashkiak të korruptuar dhe të bësh koka turku bedelët e tu në atë sallë”, ka shkruar Basha në median e tij sociale Facebook.

Ai, nëpërmjet një fotoje, ka sjellë një shembull ku, sipas tij, Shqipëria renditet e dyta në botë për nivelin e ryshfetit.

Grafiku i shpërndarë mbështetet, po ashtu, në deklaratat e mëparshme të deputetes së PD-së, Jorida Tabaku.

Rama, në mbledhjen e tij, premtoi zero tolerancë për të gjithë kryebashkiakët që vendosen përpara drejtësisë.

Kjo mbledhje vjen vetëm një ditë pas kritikave që ai u drejtoi krerëve të policisë dhe pas arrestimit të kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe.

Tushe u arrestua me urdhër të SPAK-ut, sepse akuzohej për favorizim dhe korrupsion.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni janë arrestuar disa persona, mes tyre dhe vartës të kryebashkiakut dhe biznesmenë.

Në operacion janë përfshirë forcat e policisë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), të cilët kanë zhvilluar kontrolle në Kadastrën e qytetit.

Gjithashtu, personat e tjerë të arrestuar akuzohen për korrupsion pasiv dhe abuzime me tendera.

Hetimi ndaj Tushës nisi në korrik të 2020-ës, pasi u dyshua se kishte përfituar në mënyrë të paligjshme nga një tender me vlerë 24 milionë lekë, për ndërtimin e kanalit vaditës në Lushnjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore