Shqipëria

Basha në Kurbin: Nuk na rrëzojnë dot, do të ngrihemi edhe më të fortë


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mesditën e 20 janarit zhvilloi një takim me qytetarët e Kurbinit.

“Detyra e demokratëve ka qenë të përballemi me kësi situatash jo t’i ikim. Nuk na rrëzojnë dot, do të ngrihemi edhe më të fortë”, theksoi Basha në fjalën e tij duke iu referuar situatës brenda demokratëve.

Sa i përket kësaj të fundit Basha tha se, “ndodhemi në një situatë që askush se kishte dëshiruar. Disa të imponuara nga diktatura dhe veglat e saj që nuk u shkërmoqën, disa edhe si rezultat i gabimeve tona”.

“Ata që duan ta përçajnë PD-në e bëjnë për hesap të Edi Ramës, atyre u themi ndal ose jashtë. Një grusht njerëzish janë këta, që i kanë bërë llogaritë gjithmonë për xhepat e tyre”.

Sipas tij dy janë mundësitë për të përmbysur tiraninë e krijuar brenda tyre, “e para të qëndrojmë të bashkuar dhe e dyta të mos ta humbasim busullën tonë, të PD-së, partisë perëndimore, pro amerikane dhe evropiane. Këtë nuk e përcaktojnë fjalët, por veprat tona kanë folur qartë”.

Kryedemokrati u ndal edhe te Këshillimi Kombëtar, nismë e kreut të qeverisë Edi Rama.

“Ajo që më parë thuhej se “çfarë do populli bën partia, çfarë thotë partia bën populli”, sot quhet konsultim kombëtar. Është i njëjti mentalitet”, tha Basha .

Ai vazhdoi me akuzat për sa i përket kësaj nisme, “pasi e ka vjedhur dhe zbrazur si askush Shqipërinë dhe pasi ka ngritur në fron llumin e shoqërisë, tani Edi Rama na çon formularë, ndërkohë që policia i tërheq zvarrë gratë 80-vjeçare”.

Ndërsa sa i përket votës së lirë sipas tij vjen falë reformave zgjedhore, territoriale dhe vetting-ut të politikanëve.

“Jam këtu që t’ju them Edi Ramës dhe tubave të oksigjenit, që do i japim fund tranzicionit”, vijoi Basha.

Ai e mbylli duke ju dhënë një mesazh demokratëve se, “do të jemi në krah të njëri-tjetrit. Do të jem kudo, nga Vermoshi, dhe në Konispol për t’i ngritur të gjithë së bashku si një valë ndryshimi dhe pozitiviteti. Besoni te PD-ja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore