Shqipëria

Bardhi tha se kallëzoi Olsi Ramën në SPAK, kryeministri: Nuk ka pasur asnjë kallëzim


A ju kujtohet kur thoshte “kallëzim more kallëzim kam bërë” duke tundur ndenjësen mbi karrige?!

Me këtë pyetje e ka nisur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagimin e tij në lidhje me paraqitjen e të vëllait, Olsi Rama në SPAK dhe deklaratave të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Rama së bashku me postimin ka shpërndarë edhe letrën zyrtare ku tregohet se nuk ka pasur asnjë kallëzim nga Bardhi kundrejt Olsi Ramës, kjo ndryshe nga çfarë është deklaruar.

“Orë të tëra në parlament, intervista të tëra nëpër kanale, tituj e fjali të tëra nëpër portale, pa asnjë turp e asnjë respekt për miletin që e kanë bërë si mish në pazarin e neveritshëm të kujeve e kuisjeve të tyre, dhe si përfundim një tallje e madhe për një kallëzim që nuk ekziston”, shkruan numri një i Qeverisë.

Më tej Rama thotë se “kallëzimi i rremë” i Bardhit ndaj Olsi Ramës, nuk ka qenë as në formën e kallëzimit, por thjesht një tjetër “kërcënim i çingijes në prehrin e tutorit të ri lart në ballkon”.

“Fatmirësisht SPAK-u megjithatë e ka rihapur dosjen e tundur nga çingija si dajre mbi prehrin e tutorit dhe le të presim deri në fund nëse do të gjejë provat e pretenduara nga çingija do të duhet t’i gjejë vendin gishtit të akuzës që e ka mbajtur aq shumë në ajër, për të argumentuar kallëzimin e paqenë”.

Më herët ishte Gazment Bardhi, i cili reagoi lidhur me thirrjen në SPAK të Ols Ramës, të cilin Bardhi e ka akuzuar për çështjen e njohur si Xibraka, për lidhje me trafikantë të drogës.

“Të sillesh si budalla përpara derës së SPAK-u është një strategji e gabuar që nuk të shpëton nga e vërteta! Të thuash që ke përdorur makinën e trafikantëve të drogës, por trafikantët nuk i njeh, është një gënjeshtër banale”.

Kështu është përgjigjur Bardhi, pasi Rama ka reflektuar versionin e tij të së vërtetës, në daljen nga SPAK, gjatë një fjale të shkurtër për media.

Më tej, Bardhi ka thënë: Olsi Rama konfirmoi përpara derës së SPAK gjithçka kam denoncuar për të.

Në shtjellim, Bardhi ka vijuar po ashtu, duke përkufizuar se deklarimet publike të Ramës, janë e vërteta më e madhe e kësaj çështjeje:

“Një herë deklaroi se njeh njërin nga trafikantët, sot tha nuk njoh asnjërin. Një herë s’kam udhëtuar me narkomakinën, sot tha kam udhëtuar vetëm një herë”.

“Por, sot vëllai i vogël i Edi Ramës gënjeu sërish publikisht kur tha se e ka përdorur vetëm njëherë narkomakinën AA 653 DM. Të dhënat zyrtare të sistemit TIMS dokumentojnë të kundërtën, se ai ka përdorur të paktën 7 herë narkoautomjetin AA 653 DM për daljet e tij jashtë vendit gjatë periudhës kur ndërtohej laboratori i drogës në Xibrakë”, theksoi më tej Bardhi.

Po ashtu, ai tha se gënjeshtrat dhe alibitë, nuk janë as mjet mbrojtës dhe as zgjidhje.

“Gënjeshtra e ditës dhe alibitë nuk janë as mjet mbrojtës dhe as zgjidhje. E vërteta ndodhet në procedimin penal 335/1-2016 që u tentua të varrosej nga prokuroria, por që sot mban numrin 88-2024! Inkurajoj SPAK t’i shkojë me guxim deri në fund të vërtetës, duke na provuar se në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm!”, përmbylli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore