Shqipëria

Bardhi pas vendimit të KQZ-së: Demokratët nuk i lidh asgjë me ‘Shtëpinë e Ilirit’


“Demokratët nuk i lidh asgjë me ‘Shtëpinë e Ilirit’”.

Kështu ka reaguar sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, fill pas vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Ky i fundit regjistroi koalicionin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokristiane nën logon “Shtëpia e Lirisë”, duke lënë jashtë Komisionin e Rithemelimit të PD-së – fraksioni i Sali Berishës.

“Përtej çdo makinacioni dhe mashtrimi politik, më 6 mars ka vetëm një Parti Demokratike në zgjedhje. KQZ-ja sapo zyrtarizoi koalicionin ‘Shtëpia e Ilirit’, me parti përbërëse vetëm LSI e Monika Kryemadhit dhe PDK e Nard Ndokës”, shkruan Bardhi në median sociale Twitter.

 

Sipas Bardhit koha ku demokratët strehoheshin në “Shtëpinë e Ilirit, për interesa të rritjes së pazarit të tij me Edi Ramën ka përfunduar”.

“Koha që nëpërmjet rritjes së LSI-së me demokratë të dhënë borxh, t’i shërbehet pushtetit të Edi Ramës ka përfunduar’, vijon Bardhi.

Në përfundim ai shkruan se, “PD-ja është shtëpia e vetme e demokratëve”.

Celibashi nuk regjistroi Komisionin e Rithemelimit të Berishës, nën argumentimin se simbolet e PD-së, nuk mund të përdoren përveçse nga Partia Demokratike. Pra, Komisioni i Rithemelimit, de jure nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve, por de facto po.

Po ashtu, edhe në fletën e votimit apo fushatën zgjedhore, koalicioni nuk do të mund të përdorë simbole të PD-së. Sipas Komisionerit kjo pasi mund të ngatërrojë votuesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore