Shqipëria

Bardhi i ‘hap rrugë’ Bashës, Agalliu për AP: Komisioni i reformës zgjedhore aty ka qenë, nuk e duan


Anëtari i tretë në Komisionin e Ligjeve i takon Partisë Demokratike të Lulzim Bashës.

Të paktën, kështu ka deklaruar Gazment Bardhi, nënkryetari i Partisë Demokratike (fraksioni Berisha), në një konferencë për shtyp ku ka theksuar se Komisioni ka miratuar ngritjen e një grupi dialogu me përbërje nga gjashtë anëtarë.

Sipas tij, kolegët e opozitës, të cilët gëzojnë mendim të ndryshëm, duhet të përfaqësohen në këtë grup dialogu, duke lënë kështu vakant një vend nga tre, të cilët PD-ja i gëzon.

Lidhur me këtë, çështje Albanian Post ka komunikuar me deputetin Arbi Agalliu nga radhët e PD-së zyrtare.

Ky i fundit ka thënë për AP, se “aty e kanë pasur komisionin e reformës zgjedhore! Por, në fakt nuk duan këtë”, – duke iu referuar (grupit Rithemelimi).

Sipas deputetit demokrat, “besoj se dhe bufi e kupton që si Edi Rama dhe Sali Berisha kanë frikë nga ballafaqimi me njerëzit”.

Ndaj, ravijëzon ai “nuk duan lista te hapura, Shqipëria një zonë, votim dhe numërim elektronik dhe as votë diaspore”.

Kështu, bazuar në deklaratën e tij –  edhe pse e thënë indirekt – kjo nënkupton se PD zyrtare ka një “jo” për propozimin e Bardhit.

Kujtojmë se këtë të mërkurë, me kërkesë të Partisë Demokratike u zhvillua tryeza e dialogut me pjesëmarrjen e partive politike dhe aktorëve opozitarë.

Gjatë këtij takimi u diskutua dhe u ra dakord “emergjenca e hartimit dhe zbatimit të një pakete të plotë reformash ligjore e institucionale për të korrigjuar ndërhyrjet e rënda të ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008, të cilat i mohuan të drejtën shqiptarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre, prishën balancat e pushteteve, polarizuan ekstremisht diskurin politik në vend dhe rrënuan demokracinë funksionale nëpërmjet mungesës së kontrollit të legjislativit”.

Gjithashtu u ravijëzua se “nëpërmjet Reformës Zgjedhore duhet synuar që të rregullohet përfaqësimi dinjitoz i përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë, bazuar në vlera meritokracie, në mënyrë që ky përfaqësim të kontribuojë në ndërtimin dhe përmirësimin e shtetit shqiptar dhe jo të jetë përfaqësues i pushtetit të radhës dhe i oligarkisë, që investon te pushteti paret e njerëzve që u vjedh nëpërmjet shtetit”.

Ndërkohë, në seancën e sotme plenare pritet miratimi i dy Komisioneve Hetimore.

Bëhet fjalë për dy të fundit që janë dakordëduar së fundmi dhe që janë pritur me duartokitje dhe kritika.

Komisioni për Shëndetësinë dhe për sistemin TIMS, ka bërë bashkë opozitën dhe mazhorancës.

Ama, jo gjithë opozitën. Partia Demokratike zyrtare (ajo e Lulzim Bashës) është shprehur kundër këtij dialogu, madje ka refuzuar vendin e ofruar nga Gazment Bardhi.

Ndërkohë, mbrëmjen e 20 marsit, janë zbardhur emrat e anëtarëve të dy Komisioneve për të cilat u dakordësuan së fundmi opozita dhe mazhoranca.

Kështu, Komisioni sa i takon sistemit TIMS do të ketë si kryetar deputetin, Ervin Salianji dhe nënkryetar Toni Gogun.

Anëtarët socialsitë do të jenë: Nasip Naço, Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj, Xhemal Qefalia, Antoneta Dhima, Bardhyl Kollçaku, dhe Denis Deliu.

Ndërsa nga radhët e PD-së do të jenë: Lindita Metaliaj, Lefter Gështenja, Asllan Dogjani, Ramadan Likaj, Luan Baçi, Elda Hoti.

Anëtarët Zëvendësues janë: Eduart Nreca Anëtar zëvendësues PS, Laer Duraj anëtar zëvendësues PS, Bledion Nallbati anëtar zëvendësues PD dhe Isuf Celaj anëtar zëvendësues PD.

Ndërkaq Komisioni për Shëndetësinë do të drejtohet nga Albana Vokshi dhe nënkryetar do të ketë Plarent Ndrecën.

Anëtarë do jenë: Klodiana Spahiu PS, Milva Ekonomi PS, Ilirjan Pendavinji PS, Ilir Metaj PS, Edona Bilali PS, Petro Koçi PS, Klevis Xhoxhi PS, Zheni Gjergji PD, Ina Zhupa PD, Edmond Spaho PD, Saimir Korreshi PD, Xhelal Mziu PD, Petrit Vasili Anëtar PD.

Ndërsa anëtarët zëvendësues: Lavdrim Krashi PS, Mirela Pitushi PS, Emilia Koliqi Anëtar PD, Ilda Dhori PD.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore