Lajme

Banka Qendrore Evropiane: Inflacioni i Eurozonës, jokalimtar


Luis de Guindos, nënkryetari i Bankës Qendrore Evropiane

“Këtë vit rritja e çmimeve rrezikon të tejkalojë parashikimet. Edhe rritja e inflacionit në eurozonë nuk është aq kalimtare sa mendohej më parë”.

Është kjo deklarata e nënkryetarit të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Luis de Guindos, të enjten e 13 janarit.

Përgjatë dhjetorit të vitit të kaluar, inflacioni arriti në 5 për qind, duke shënuar një rekord të ri për bllokun e monedhës me 19 vende.

Megjithatë, BQE pret që ai të kthehet nën objektivin e saj prej 2 për qind në vitet 2023 dhe 2024, raporton prestigjiozja “Reuters”.

“Inflacioni nuk do të jetë aq kalimtar, sa ishte parashikuar vetëm disa muaj më parë”, ravijëzoi De Guindos në një takim të Kompanisë së investimeve bankare UBS.

“Vlerësimi i rrezikut për inflacionin ka një prirje mesatarisht drejt rritjes gjatë 12 muajve të ardhshëm”.

Luis de Guindos, nënkryetari i Bankës Qendrore Evropiane

Ai shtoi se kostot e energjisë ka gjasa të mbeten të larta, ndërkohë që pengesat nga ana e ofertës vijojnë të ushtrojnë presion në rritje mbi çmimet.

Megjithatë, në terma afatgjatë, rreziqet shihen ende të balancuara, tha de Guindos, duke shtuar se inflacioni i vitit 2023 dhe 2024 shihen pak më poshtë objektivit prej 2% të BQE-së.

Megjithatë, disa politikëbërës janë më skeptikë dhe paralajmëruan se inflacioni mund të qëndrojë mbi objektivin edhe më tej, pasi politika e pagave ka të ngjarë të përshtatet me rritjen më të lartë të çmimeve, duke e bërë rritjen më të qëndrueshme.

Megjithëse çmimet e energjisë u rritën javët e fundit, de Guindos tha se kjo nuk e ndryshoi rrënjësisht ecurinë e inflacionit.

“Ato nuk ndikojnë shumë në projeksionet që kemi prodhuar tri javë më parë”, tha ai.

Varianti i ri i COVID-19, Omicron, gjithashtu nuk ka gjasa të ndryshojë ndjeshëm perspektivën e rritjes, për momentin, tha ai, duke shtuar se ekonomitë evropiane janë përshtatur për të jetuar nën pandeminë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore