Shqipëria

Banka e Shqipërisë nuk e ndryshon normën bazë të interesit


Banka e Shqipërisë ka vendosur që të mos e ndryshojë normën bazë të interesit.

Kështu ajo do të mbetet në nivelin 2.75%.

Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ngadalësojë ritmin e normalizimit monetar, duke parë edhe sinjalet pozitive që inflacioni dhe veçanërisht komponenti i tij bazë ka dhënë në muajt e fundit.

Guvernatori Gent Sejko, tha se trajektorja e inflacionit duket se ka shënuar një kthesë drejt reduktimit në tremujorin e katërt, ndërkohë që aktiviteti ekonomik vijon të jetë nën presionin e çmimeve të rritura dhe të pasigurisë së shtuar.

“Ky fenomen ishte i pranishëm dhe në ecurinë e inflacionit të partnerëve tanë kryesorë tregtarë. Megjithatë, përtej efektit direkt, niveli i lartë i inflacionit vazhdon të ushqehet nga transmetimi i tyre në koston e mallrave dhe shërbimeve, si dhe nga kërkesa relativisht e qëndrueshme për mallra e shërbime në vend, e cila siguron një shkallë të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve, veçanërisht në tregu e punës”, tha Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se normalizimi i deritanishëm i qëndrimit të politikës monetare ka kontribuuar në zbutjen e presioneve inflacioniste, nëpërmjet kontrollit të pritjeve për inflacionin, reduktimit të pasigurisë dhe ruajtjes së stabilitetit në tregjet financiare, si dhe garantimit të qëndrueshmërisë së monedhës tonë kombëtare.

Banka e Shqipërisë vlerësoi se aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet në gjysmën e dytë të vitit.

Megjithatë, në ngjashmëri me tremujorin e dytë, ritmi i rritjes ekonomike ka shfaqur shenja ngadalësimi, si pasojë e pasigurive për të ardhmen, e rritjes së kostove të prodhimit dhe e reduktimit të kërkesës së huaj. Këto pasoja janë shfaqur në formën e shtrenjtimit të faturës së importeve, si dhe të një ecurie më të ngadaltë të investimeve private e publike.

Gent Sejko

Përkundrejt tyre, tregu i punës në tremujorin e tretë shfaqi një ecuri mjaft pozitive. Punësimi në ekonomi u rrit me 4.2% në terma vjetorë, norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6%, ndërkohë që paga mesatare në sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 12.4%.

Kjo ecuri dëshmon se kërkesa agregate në vend mbetet solide, e mjaftueshme për të gjeneruar rritje punësimi dhe pagash. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo tregon, po ashtu, faktin se bazat e rritjes ekonomike të vendit janë relativisht të shëndetshme.

Projeksionet e skenarit bazë të bankës së Shqipërisë, sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe presionet inflacioniste do të vijnë në reduktim gjatë dy viteve të ardhshme.

Inflacioni pritet të shënojë një pikë kthese gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë të vitit 2024.

Rritja ekonomike pritet të mbetet e moderuar edhe në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm dhe të zhvendoset gradualisht drejt normave të saj historike në periudhën në vijim, duke ofruar një raport më të balancuar midis kërkesës dhe ofertës në vend.

Megjithatë, Guvernatori theksoi edhe njëherë se procesi i normalizimit monetar është i nevojshëm për të kthyer inflacionin pranë objektivit dhe ky proces do të vazhdojë gjatë vitit 2023.

Gjithashtu, ai tha se, bazuar në informacionin aktual, normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare mbetet një masë e nevojshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Ky normalizim bëhet edhe më i nevojshëm, në prani të një balance rreziku për inflacionin, e cila qëndron ende në kahun e sipërm.

Në linjë me komunikimet e mëparshme, Këshilli Mbikëqyrës thekson se shpejtësia dhe intensiteti i këtij normalizimi ka qenë dhe do të mbetet një proces i udhëhequr nga të dhënat e reja.

“Qëndrimi i politikës monetare do të synojë të sigurojë kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin e tyre në frenimin e aktivitetit ekonomik”, tha Sejko.

Muajt në vijim do të jenë të sfidues, sipas Sejkos

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore