Shqipëria

Ballkani “RoamFree”


Prej 1 korrikut nuk do të ekzistojnë më tarifat Roaming për shërbimin telefonik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, “RoamFree” do të mundësojë tashmë tarifimin normal të telefonatave brenda gjashtë vendeve ballkanike, duke shmangur kështu kostot e larta të thirrjeve gjatë udhëtimeve.

‘Duhet të keni vetëm një gjë në mendje: Të keni bateri të plotë në telefonin tuaj”, shkruante më 14 qershor në Twitter, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Mbi këtë projekt madhor, ka pasur një dakordësim unanime të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Një kontribut të veçantë mbi këtë nismë ka pasur edhe sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu.

Kjo e fundit, ka lobuar mbi çështjen që prej shkurtit të vitit 2019. Pikërisht në këtë muaj, u dakordësuan edhe detajet përfundimtare mbi kornizat e marrëveshjes.

Sipas Bregut, “kjo lëvizje do të sjellë një përafrim të heqjes së tarifave roaming me gjithë vendet e Bashkimit Evropian”.

Kjo, për shkak se përafrohet direktiva e rajonit për bashkëpunim dhe bashkëveprim. Një shtysë, që BE-ja e ka dhënë edhe për idenë e krijimit të një zone Schengen rajonale.

Duhet theksuar se tarifat roaming midis vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit, janë shumë të larta. Këto mund të arrijnë të jenë deri në katër herë më të larta se tarifat normale.

Me përllogaritje të përafërta ndërkaq, prej ditës së sotme, konsumatorët do të paguajnë midis 83-96% më pak krahasuar me më parë.

Thirrja për ballkanasit tashmë, është e qartë: “Ruaj karikimin. RoamFree”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore