Shqipëria

Balla takon “babain” e SPAK, Todd Robinson: Mirëpresim mbështetjen amerikane në forcimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e eksperiencave


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u prit në një takim nga Ndihmës Sekretari i Shtetit, Todd D. Robinson, me të cilin bisedoi mbi bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese dhe programet e asistencës amerikane si DEA, INL dhe ICITAP.

“Mirëpresim mbështetjen amerikane edhe në forcimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e eksperiencave mes Akademisë së Sigurisë dhe shkollave të policisë në SHBA. Lufta kundër krimit të organizuar, prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike janë një prioritet kryesor, ndërsa goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë, falë hetimeve komplekse në bashkëpunim me SPAK dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”, theksoi ministri i Brendshëm shqiptar, pas takimit, mbajtur në zyrat e DASH.

Palët dakordësuan për të intensifikuar edhe më shumë përpjekjet për përmirësimin e rezultateve në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në kuadër të Mekanizmit Kombëtar të Referimit.

“Bashkë me SHBA jemi pjesë e Koalicionit Global ndaj kërcënimit të Drogave Sintetike, për të koordinuar masa konkrete kundër prodhimit, trafikimit dhe shitjes së tyre tek të rinjtë dhe përdorues të tjerë”, përmbylli Balla.

Më 20 mars, Ndihmës-sekretari amerikan Todd Robinson theksoi se Prokuroria e Posaçme SPAK po bën një punë fantastike.

Robinson: SPAK ka bërë punë të mirë, por duam më shumë rezultate

Dhe jo vetëm SPAK, por edhe “agjencitë e pavarura të drejtësisë po bëjnë punë fantastike, një punë fantastike që shqiptarët e zakonshëm nuk e shihnin kur isha unë këtu, për shembull, në vitet 2004-2006”.

Kështu ka deklaruar ai gjatë një interviste për televizionin Top Channel, gjatë ndalesës dyditore që pati në Tiranë, në kuadër të një vizite zyrtare në datat 18-19 mars.

Po ashtu, Robinson ka theksuar edhe mbështetjen e pakushtëzuar të Prokurorisë së Posaçme SPAK në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe e ka etiketuar si “fantastike” punën e prokurorëve në organin e lartë hetimor, të cilin ai vetë e ka ideuar.

Ai gjatë intervistës theksoi se SHBA-të do të ndihmojnë dhe inkurajojnë në çdo instancë vendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri dhe organet ligjzbatuese amerikane janë këtu për ndihmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore