Lajme

Bajrami: Qeveria Kurti ka nënshkruar mbi 1 mijë e 800 kontrata njëburimore


Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhje Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, të enjten në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës para deputetëve ka prezantuar rezolutën për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2.

Gjatë këtij mandati qeverisës, sipas Bajramit, janë nënshkruar mbi 1 mijë e 800 kontrata njëburimore në vlerë për mbi 240 milionë euro.

“Buxheti i shtetit dëmtohet me kontrata njëburimore, sepse nuk merret vlerë për para, projekti kushton më shumë dhe kualiteti ka mundësi të mos jetë më i mirë”, ka potencuar ajo.

Për më tepër, sipas saj, kjo është ndërhyrje e shtetit në ekonominë e tregut të lirë dhe ndikon në deformimin e konkurrencës së drejtë.

“Mbi të gjitha këto kontrata njëburimore janë burim i korrupsionit”.

Sipas Bajramit në mesin e abuzuesve me kontratat njëburimore prinë Korporata e Energjisë Elektrike e cila prej 240 milionë eurove ka 102 milionë euro kontrata të negociuara.

“Janë gjithsej 112 kontrata, ne e dimë që KEK-u ka blerë 60 milionë euro pjesë nga General Electrics, mirëpo çka me 43 milionë të tjera. KEK-u ka negociuar 13 kontrata me të njëjtën kompani në vlerë prej 5.6 milionë euro me një kompani”.

“Me një kompani tjetër ka 7 kontrata me një kompani 6 kontrata me 2 kompani të tjerë ka katër kontrata të tjerë”.

Rezolutën e LDK-së lidhur me kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2, po e mbështesin edhe partitë e tjera opozitare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore