Lajme

Bahamas, shpëtohen tre njerëz pas 33 ditëve bllokim


Rojet bregdetare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shpëtuar tre persona të martën e 9 shkurtit nga një ishull i pabanuar në Bahamas, ku ishin bllokuar për 33 ditë. Ata kanë mbijetuar me arra kokosi, kërmijë deti dhe minj.

Njerëzit e bllokuar, dy burra dhe një grua të identifikuar si shtetas kubanë u panë duke valëvitur një flamur të improvizuar gjatë një patrullimi rutinor të mbikëqyrjes në këtë zonë.

Toger Riley Beecher, shefi i kabinës së avionit tha se momentin që u zbulua treshja, avioni i tij po fluturonte 500 metra në ajër në momentin që dalloi flamurin.

“Ndërsa u afruam, afër flamurit, dy individë dolën duke tundur duart në përpjekje për të na treguar se ishin vërtet në gjendje të vështirë”.

Togeri tha se ekuipazhi i vëzhgimit ju hodhën ushqim, ujë dhe një radio për të komunikuar.

“Njerëzit ishin nga Kuba, gruaja kishte nevojë për kujdes mjekësor .Ata kishin qenë atje për 33 ditë”.

Një avion i dytë, i komanduar nga nënkoloneli Justin Dougherty, ju dha shishe uji, jelekë shpëtimi, pako sheqeri  dhe ushqime të tjera që kishin me vete.

“Ata janë tepër me fat që janë gjallë. Për fat të mirë këta njerëz bënë një punë të shkëlqyeshme duke bërë një lloj sinjali që ne ta shikonim”.

Grupi, duke komunikuar me aeroplanin me radio, i tha ekuipazhit se anija e tyre kishte goditur një stuhi pesë javë më parë dhe se ata kishin notuar në ishull.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore