Kosova

Avokati serb: Regjimi në Beograd po i akuzon serbët që nuk mbështesin Vuçiç-in dhe Listën Serbe për “veprimtari antikushtetuese”


Ivan Niniç

Avokati serb, Ivan Niniç, nëpërmjet një sërë cicërimash në rrjetin social “Twitter”, ka thënë se regjimi në Serbi dhe shërbimet e sigurisë po vazhdojnë të persekutojnë serbët që nuk mbështesin presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Listën Serbe dhe kriminelin Milan Radojiçiç.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se Dragan Nikoliç, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës është arrestuar nga organet e rendit në Serbi, të hënën më 10 prill në vendkalimin kufitar në Jarinjë nën dyshimin se ka kryer vepra penale: “Veprimtari antikushtetuese” dhe “thirrja për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues”.

“Dragani është regjistruar në vendkalimin Jarinje me letërnjoftim të Kosovës, shofer dhe patentë trafiku pa asnjë problem. Pas kthimit nga Kragujevaci, rreth orës 20:25, në të njëjtin vendkalim në Jarinje, atij i është kërkuar letërnjoftimi serb, të cilin fizikisht nuk e kishte me vete”.

“‘Jeni shqiptar?’ e pyetën në Jarinjë, me komentin: ‘Tani do të vijë shefi ynë t’ju ​​sjellë letërnjoftimin serb. Pas kësaj, Dragani dhe gruaja e tij u ndaluan deri në orën 23:20, kur u shfaqën policët me rroba civile dhe i kanë vënë prangat dhe nuk i treguan letërnjoftimet”.

“Filloi ngacmimi dhe poshtërimi psikologjik: ‘A keni punuar në Polici?’, ‘A e doni këtë vend?’, ‘A punoni kundër vendit?’, ‘Për kë punoni në Prishtinë?’ , ‘Kemi informacione se ju punoni për strukturat dhe shërbimet e Prishtinës’…etj”, ka shkruar ai.

Nikoliç, sipas avokatit serb, më pas është informuar se, për periudhën nëntor 2022 – prill 2023, akuzohej se i ishte bashkuar një grupi me 4 persona të tjerë të kombësisë serbe, me të cilët “intenzivisht dhe në vazhdimësi ka punuar për të shkatërruar themelin kushtetues dhe sigurinë e Serbisë”.

Ai shtoi se prokurori pretendon se Nikoliç “shumëzonte dhe shpërndante” materiale që kërkonin ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë (fletëpalosje për riregjistrimin e automjeteve), mblidhte dhe u jepte informacion strukturave shqiptare, për të shkaktuar revolta të popullatës kundër autoriteteve serbe.

“Draganit i atribuohen, në mënyrë të paqartë dhe përgjithësisht, ngjarjet e fundit në lidhje me djegien e një makine në veri të Kosovës, plagosjen e dy serbëve, ‘kërcënim të popullatës serbe’, dhe me qëllim të shkaktimit të një mase të eksodit të serbëve…”

“Meqë ra fjala, po flasim për një burrë që 20 vjet punoi si polic, humbi uniformën dhe e la punën së fundmi me bindjen e autoriteteve nga Beogradi. Ai ka kontratë të përkohshme pune me Komunën e Leposaviqit dhe vetëm ai nuk e ka marrë rrogën e fundit në muajin prill, e cila ka qenë preludi i arrestimit të tij”.

Arrestimi i Dragan Nikoliç-it është një akt hakmarrjeje nga Beogradi, tha Niniç, sepse bashkëshortja e tij Ivana pranoi kandidaturën për këshilltare në zgjedhjet e ardhshme në listën zgjedhore të Partisë së Serbëve të Kosovës në komunën e Leposaviqit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore