Kosova

Avokati i Popullit refuzon kërkesën e Dakës


Valdete Daka dhe Vjosa Osmani

Avokati i Popullit ka marrë vendim që të refuzojë kërkesën e paraqitur nga ish-kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, për ta shqyrtuar shkarkimin e saj nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Avokati i Popullit vëren se Kushtetuta e Kosovës, neni 84, paragrafi 26, e përcakton kompetencën e Presidentes për të emëruar Kryetarin e KQZ-së”, thuhet në komunikatën për media të zyrës së Avokatit të Popullit.

“Çështja e ndërprerjes së mandatit dhe emërimit të anëtarëve të KQZ-së, duke përfshirë këtu edhe Kryetarin e KQZ-së përcaktohet me Ligjin nr.03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë neni 61, paragrafi 5 mbi të cilin, në mes tjerash, bazohet Vendimi nr.42/2021, i datës 14 qershor 2021 i Presidentes së Kosovës”, vazhdon komunikata.

Sipas Avokatit të Populit, Daka nuk ofruar dëshmi se shteruar, apo që së paku ka përdorur mjete juridike kundër Vendimit të Presidentes.

“Në rastin konkret Daka nuk i ka shfrytëzuar mjetet juridike, prandaj Avokati i Popullit ka vendosur që kërkesa të refuzohet, pa paragjykuar nëse Vendimi i Presidentes për ndërprerjen e mandatit të saj është i drejtë dhe në pajtim me ligjin”.

Ndryshe, ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka kishte kërkuar nga Avokati i Popullit që ta shqyrtojë shkarkimin e saj nga presidentja Vjosa Osmani. Daka kishte kërkuar që çështja e shkarkimit të saj të dërgohet në Kushtetuese.

“Sot dorëzova aneksen time te Avokati i Popullit dhe shpresoj se në kuadër të kompetencave që ka si institucion i pavarur do ta shfrytëzojë të drejtën e tij dhe në emër tim ta bëj kërkesën që të shqyrtohet kushtetutshmëria e vendimit të presidentes për shkarkim tim”, kishte deklaruar Daka në tetor të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore