Lajme

Autoritetet ruse arrestojnë mijëra protestues kundër luftës në Ukrainë


Rreth 3 mijë e 500 protestues kundër luftës në Ukrainë thuhet se janë arrestuar gjatë kësaj dite në të gjithë Rusinë. Lajmi është bërë i ditu nga agjencia ruse e lajmeve “Interfax” duke cituar Ministrinë e Brendshme.

Sipas raportit rreth 2 mijë e 500 njerëz morën pjesë në protestat në Moskë të dielën, nga të cilët 1 mijë e 700 u arrestuan.

1 mijë e 500 persona të tjerë protestuan në Shën Petersburg, ku 750 u arrestuan më pas.

Gjithsej 1 mijë e 200 persona të tjerë morën pjesë në protesta në pjesë të tjera të vendit dhe 1 mijë e 61 prej tyre u arrestuan.

Ata që u arrestuan u dërguan në stacionet e policisë lokale për t’u marrë në pyetje ku “po vendoset çështja e sjelljes së tyre para drejtësisë”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.

Sipas faqes së internetit të të drejtave të njeriut “OVD-Info, gjithsej” 10 mijë e 946 persona janë arrestuar në protestat kundër luftës në të gjithë Rusinë që kur Moska filloi pushtimin e saj në Ukrainë.

Megjithë shtypjes zyrtare të demonstratave ku protestuesit përballen me dënime me burg, që atëherë ka pasur protesta të përditshme.

Të premten, kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny u kërkoi mbështetësve të organizojnë protesta të dielën “në të gjitha sheshet qendrore të Rusisë dhe të gjithë botës”.

Ai u ka bërë thirrje rusëve që të mbajnë protesta të përditshme, duke thënë se ata nuk duhet të bëhen një “komb frikacakësh”.

Protestat e së dielës pasojnë një ditë të demonstratave globale kundër agresionit rus në Ukrainë.

Për 11 ditë radhazi, forcat ruse nuk i kanë ndalur bombardimet në Ukrainë në përpjekje për të kapur qytetet e mëdha si Kievin dhe Kharkiv.

Mbi 1.5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi dhe mijëra ushtarë rusë kanë humbur jetën. Ndërkohë Ukraina vijon të rezistojë pavarësisht sulmeve ruse.

Kombet e Bashkuara raportojnë se janë vrarë 364 civilë, 1 mijë e 123 të plagosur dhe 759 të lënduar lehtë në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore