Lajme

“Autoritetet kineze, me metoda çnjerëzore, kthejnë disidentët”


Një raport i ri, i publikuar nga grupi i të drejtave të njeriut “Safeguard Defenders” bëri me dije se autoritetet kineze kanë kthyer rreth 2 mijë e 500 “të arratisur” jashtë Kinës.

Këto autoritete kishin një program specifik, i cili përdorte metoda nga më të ndryshmet.

Duke filluar që me kërcënimin e familjeve të lëna në Kinë deri te “rrëmbimi i sanksionuar nga shteti”.

Gjatë pandemisë, të paktën 1 mijë e 421 njerëz u kthyen në Kinë në vitin 2020 dhe 1 mijë e 114 në 2021.

Shifrat përfshijnë vetëm ata të kapur për krime të supozuara ekonomike ose krime që lidhen me detyrat e tyre zyrtare.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Komisioni Qendror për Inspektimin Disiplinor (CCDI) e përshkroi funksionimin e vitit si “të frytshëm”.

Grupet e të drejtave të njeriut besojnë se aktivistët dhe disidentët tani janë shpesh në shënjestër, duke përfshirë ujgurët.

Në korrik, projekti “Ujgur për të Drejtat e Njeriut” dokumentoi 395 raste të ujgurëve të dëbuar, ekstraduar ose kthyer në Kinë.

“Që kur Xi Jinping erdhi në pushtet, qeveria kineze e intensifikoi goditjen ndaj shoqërisë civile”, tha aktivisti për të drejtat e njeriut me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Teng Biao.

Metodat për të detyruar dikë të kthehet në Kinë, jashtë marrëveshjeve formale dypalëshe për ekstradimin dhe dëbimin, mund të variojnë nga refuzimi për të rinovuar një pasaportë, te keqpërdorimi i sistemit të Interpolit për lëshimin e urdhër-arresteve ndërkombëtare.

Rastet e frikësimit të familjeve janë raportuar gjerësisht në mesin e diasporës ujgure, veçanërisht atyre që janë politikisht aktivë jashtë Kinës, duke lobuar për veprime ndërkombëtare mbi shkeljet e të drejtave të njeriut që po kryhen në Xinjiang.

Në raportet e vitit 2021 u zbulua se Mihray Erkin, një grua e re ujgure, besohej se kishte vdekur në paraburgim në Xinjiang, në vitin 2020.

Erkin kishte punuar në Japoni si studiuese shkencore, derisa u kthye në Xinjiang në vitin 2019,  pasi prindërve të saj iu bë presion.

Gjithashtu vitin e kaluar, 19-vjeçari Wang Jingyu, banor i SHBA-ve, i cili kërkohej në Kinë, pretendoi se prindërit e tij ishin ngacmuar dhe ndaluar në mënyrë të përsëritur në një përpjekje për ta kthyer atë.

Autoritetet kineze e kanë lavdëruar publikisht programin dhe e kanë cilësuar si “të mbështetur plotësisht nga agjencitë e zbatimit të ligjit jashtë shtetit, ambasadat dhe konsullatat kineze dhe oficerët ndërlidhës të policisë”.

“Safeguard Defenders” u bëri thirrje qeverive botërore që t’u japin fund traktateve të ekstradimit me Kinën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore