Lajme

Autoritetet amerikane mbyllin bankën e Silicon Valley, rrezikohen depozitat e gjigandëve të teknologjisë


Banka e Silicon Valley është mbyllur nga rregullatorët amerikanë, të cilët kanë marrë kontrollin e plotë të kapitalit dhe depozitave bankare, për të siguruar se gjigandët e teknologjisë në SHBA, nuk do të rrezikojnë shuma të majme parash dhe rrjedhimisht, edhe falimentimin e tyre.

Prej muajsh, banka ka pasur probleme të theksuara dhe po kërkonte financim, por nuk e arriti dot këtë gjë.

Ndaj, mbi këtë logjikë, kanë qenë autoritetet e posaçme amerikane, të cilat kanë marrë kontrollin, duke ia kaluar gjithë depozitat bankare Korporatës Federale të Sigurimit të Depozitave.

Lajmi u bë me dije nga Departamenti i Financave në shtetin e California-s, i cili argumentoi se hapi ishte ndërmarrë për të mbrojtur gjigandët amerikanë të teknologjisë, të cilët shumica i kanë depozituar kapitalin në bankën e Silicon Valley.

Kjo e fundit në fakt, pikërisht për të përmbushur nevojat e këtyre megakorporatave lindi.

Mirëpo, prej kohësh, Silicon Valley e ka humbur madhështinë e flluskës së inovacionit dhe shumë prej kompanive të mëdha janë zhvendosur prej aty, për shkak të rritjes së taksave dhe tatimeve mbi fitimet e tyre.

Ndër to, lëvizja më e bujshme ishte ajo e Tesla, e cila u zhvendos përfundimisht për në Texas me vendim nga Elon Musk, pikërisht për arsye se ambienti i Silicon Valley u bë i pafavorshëm për një ndërmarrje të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore