Lajme

Australia rrit investimet për karikuesit e makinave elektrike


Qeveria australiane ka premtuar 132 milionë dollarë për të rritur hapjen e stacioneve të karburantit me hidrogjen dhe ato të karikimit për automjetet elektrike.

Nga ana tjetër, nuk ka vendosur objektiva për të hequr gradualisht makinat me benzinë, tregon e përditshmja “Reuters”.

Kryeministri Scott Morrison ka treguar se Fondi i përforcuar Future Fuels ofron “një mënyrë australiane” për të ulur emetimet e transportit.

Kjo duke përsëritur një slogan që ai prezantoi kohët e fundit për të përshkruar rrugën e mesme të vendit në politikën e ndryshimeve klimatike.

“Nuk do t’i detyrojmë australianët të ikin nga makina që duan të ngasin ose t’i penalizojmë ata që më së paku mund ta përballojnë atë përmes ndalimeve ose taksave”, ka thënë Morrison në një deklaratë.

Sipas tij, “strategjia do të funksionojë për të ulur koston e investimit shtesë, i cili do të ndihmojë blerjet e makinave elektrike dhe autobusëve për flotën qeveritare dhe të biznesit”.

Megjithatë, grupet e industrisë dhe aktivistët, kanë thënë se zbritjet dhe uljet e taksave ishin të nevojshme për të inkurajuar blerjen e makinave më të pastra në një vend ku transporti është burimi i tretë më i madh i emetimeve të karbonit.

“Qeveria federale pretendon të mbështesë zgjedhjen për shoferët australianë, por në fakt strategjia e saj mbyt zgjedhjen duke e bërë shumë sfiduese për Australinë tërheqjen e një përzgjedhjeje të gjerë të automjeteve elektrike me bateri në treg”, ka thënë shefi ekzekutiv i Këshillit të Energjisë së Pastër, Kane Thornton.

“Reuters” tregon se financimi federal është vetëm pak më shumë se një angazhim i veçantë i Uellsit të Ri Jugor, shteti më i populluar i vendit, për të shpenzuar 171 milionë dollarë Australianë për karikuesit e makinave elektrike gjatë katër viteve të ardhshme.

Kurse Victoria, shteti i dytë më i populluar, po planifikon të shpenzojë 29 milionë dollarë Australianë për ngarkimin e infrastrukturës në zonat rajonale dhe zëvendësimin e makinave qeveritare deri në vitin 2023.

Për qeverinë federale, plani duhet të ulë emetimet e karbonit me më shumë se tetë milionë ton deri në vitin 2035, bazuar në parashikimin që automjetet elektrike me bateri dhe ato hibride do të përbëjnë 30 për qind të shitjeve vjetore të makinave të reja dhe kamionëve të lehtë deri në vitin 2030.

Në vitin 2019, Morrison kritikoi një propozim të Partisë Laburiste të opozitës për të synuar që gjysma e të gjitha shitjeve të makinave të reja të jenë elektrike deri në vitin 2030.

Megjithatë, një studim i kohëve të fundit nga Instituti Australian Studimor ka zbuluar se 64 për qind e australianëve favorizonin që të gjitha shitjet e makinave të reja në vend të ishin automjete me emetim zero deri në vitin 2035.

Ndërsa 71 për qind e atyre kanë mbështetur subvencionet e qeverisë për makinat elektrike, zbulon “Reuters”.

Në Australi, shitjet e automjeteve elektrike me bateri dhe hibride kanë arritur një rekord prej 8 mijë e 688 në gjysmën e parë të vitit 2021, por ato përbënin vetëm 1.6 për qind të totalit të shitjeve të automjeteve të lehta.

Ndërkaq, në Norvegji, lideri global në përdorimin e makinave elektrike, shitjet e automjeteve elektrike me bateri në muajin shtator kanë përbërë gati 80 për qind të shitjeve të makinave të reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore