Lajme

Asociacioni si kusht për anëtarësim në KiE, Gërvalla: Do të ishte një qasje shumë e padrejtë


Donika Gërvalla

Ndonëse Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, potencoi se për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet lëvizur përpara me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, me një konstatim të tillë nuk është pajtuar ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ajo ka shprehur besimin se Asociacioni nuk do të jetë pengesa e radhës në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë ndërkombëtare.

Në të kundërtën, shtimi i kushteve të cilat nuk janë paraparë në raport, në vlerësimin e saj, “do të ishte një qasje shumë e padrejtë”.

“Raporti i Këshillit të Evropës e thotë shumë qartë se Kosova përmbushë të gjitha standardet më të larta të demokracisë, të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve jo shumicë, sundimi i ligjit dhe të tjera që janë kritere për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. I hapur pati mbetur vetëm implementimi nga ana e institucioneve i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, është shprehur ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës.

I pyetur për përkeqësimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje e transaksione financiare në territorin e Kosovës, Gërvalla ka potencuar se marrëdhëniet me Amerikën “janë shumë të mira”.

“Kemi disa tema ku nuk pajtohemi 100 për qind në aspektin teknik, mirëpo kjo është plotësisht normale në marrëdhëniet mes dy partnerësh të ngushtë. Konsideroj se kjo është shumë normale, jo vetëm mes partnerësh, mes dy shtetesh, por është normale edhe në një familje…”, ka potencuar ajo.

Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, më 20 mars të këtij viti ka përfunduar përpilimin e një raporti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku theksohet se Asambleja Parlamentare e KiE-së rekomandon Komitetit të Ministrave të KiE-së të pranojë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Në raportin 26 faqesh të Bakoyannis nënvizohet fakti se Asambleja Parlamentare e KiE-së pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sa më shpejt që të jetë e mundur.

Themelimi i Asociacionit, sipas raportit të Bakoyannis, duhet të jetë i dukshëm në rast se Kosova kërkon anëtarësimin e plotë në KiE.

“Asambleja Parlamentare pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm me synimin për themelimin e Asociacionit sa më shpejt të jetë e mundur. Asambleja Parlamentare konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të jetë i dukshëm në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në pikën e 11-të të raportit të zyrtares greke.

Raporti për KiE: Asambleja do themelim të Asociacionit, para anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore